Detajet nga takimi i lamtumirës me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ambasadori në largim i SHBA-së në Prishtinë Jeffrey Hovenier i përcolli përmes një postimi në platformën X, ku tregoi dhe këshillën e dhënë atij.

“Diskutuam mbi progresin e Kosovës gjatë mandatit tim dhe bashkëpunimin e ngushtë që do t’i mundësonte Shteteve të Bashkuara të lobojnë në mënyrë më efektive që Kosova të zërë vendin e saj të merituar në strukturat europiane dhe euroatlantike”, ka shkruar Hovenier.

Diplomati amerikan e përfundon mandatin e tij në Kosovë në fund të këtij muaji. Ai është shprehur më herët se shërbimi në Prishtinë do të jetë i fundit për të dhe paskësaj, do të dalë në pension.

Pak ditë më parë, ai deklaroi se ka aktorë të huaj keqdashës që duan të dëmtojnë demokracinë e Kosovës duke shfrytëzuar ndasitë etnike.

“Nuk mund ta lejojmë që kjo të ndodhë. Nuk duhet ta lejojmë të ndodhë”, tha ambasadori Hovenier duke nënvizuar se dezinformimi mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta posaçërisht në periudha zgjedhjesh. Kosova pritet të mbajë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare me 9 shkurt të vitit të ardhshëm.