Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, nga Tirana nisën prezantimin e 12 drejtorëve të rinj vendorë të policisë.

Hoxha kërkoi zbardhjen e shpejtë të ngjarjeve kriminale, si dhe rihapjen e hetimeve për ngjarje të vjetra, të cilat janë shkak për zinxhir pasojash, nëse mbeten pa u ndëshkuar.

Në Durrës, Hoxha dhe Proda prezantuan drejtorin e ri Vilson Bala, që zëvendësoi në këtë detyrë ish-drejtorin Skënder Hita.

“Ky qytet ka rëndësi strategjike për shkak të pozicionit, si një portë hyrëse për Shqipërinë. Kjo e bën atë të përballet me sfida komplekse në fushën e sigurisë publike dhe luftën kundër kriminalitetit. Për këtë arsye, drejtimi i strukturave policore në këtë zonë kërkon një vizion të qartë, strategji dhe përkushtim maksimal për zbatimin e ligjit me paanshmëri dhe profesionalizëm”, u shpreh ministri në takim me strukturat drejtuese të DVP Durrës.

Vilson Bala vjen në këtë detyrë pas një karrierë të gjatë brenda Policisë. Ai u rendit i pari me pikë, në konkurrim.

Hoxha shtoi se Durrësi, si një qendër ekonomike, turistike dhe tranzit, kërkon një qasje të mirëkoordinuar për të siguruar një mjedis të sigurt për banorët dhe vizitorët.

“Struktura e re drejtuese do të punojë ngushtë me agjencitë ligjzbatuese për të luftuar çdo formë të krimit të organizuar, trafiqeve dhe evazionit. Siguria nuk është vetëm një përgjegjësi e policisë, por një detyrë e përbashkët e gjithë shoqërisë”, tha ministri i Brendshëm.