Durrës, 22 gusht 2014 – “Jemi gati për të dhënë më të mirën tonë. Ndaj Flamurtarit, do japim maksimumin dhe do përpiqemi të kthehemi me tri pikë nga Vlora”. Ky është qëndrimi i mbrojtësit Rustem Hoxha, i cili deklaron se Teuta, pavarësisht se do të luajë në një fushë të vështirë, nuk ndihet inferiore ndaj kundërshtarit.
Sipas Hoxhës, skuadra është gati për sfidën e parë të sezonit.
“Jemi gati dhe po presim me padurim për të zbritur në fushë dhe për të dhënë më të mirën tonë. Skuadra ka punuar intensivisht përgjatë përgatitjeve dhe besojmë se kemi bërë një punë shumë të mirë. Dita-ditës ne po përmirësohemi dhe po unifikohemi si skuadër, si dhe merremi vesh mjaft mirë me njëri-tjetrin. Falë trajnerit, lojtarët përshtaten shumë mirë, pasi u ka gjetur vendin e përshtatshëm. Nga ana fizike, skuadra ka bërë progres, ndaj dhe aktualisht jemi përqendruar tek ana tekniko-taktike. Të shtunën do të jemi gati për të dhënë më të mirën në fushën e lojës”, u shpreh Hoxha.
Në sfidën e parë të kampionatit, kalendari e ka vënë Teutën përballë një kundërshtari shumë të fortë, për më tepër që ka kryer një supermerkato gjatë periudhës së verës. Megjithatë në kampin durrsak mbizotëron besimi dhe nuk ndihen inferiorë përballë kundërshtarit, ndonëse ky i fundit luan në shtëpi dhe përpara publikut të vet. Hoxha theksoi se Teuta nuk ka frikë nga kundërshtari, por e respekton maksimalisht atë. Sipas tij, Teuta do të futet në fushën e lojës për të luajtur lojën e saj dhe nuk do të ndikohet nga ambienti apo kundërshtari, duke pretenduar për t’u kthyer me pikë të plota në Durrës.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





