Gazetari investigativ Artan Hoxha ka treguar një rast të ndodhur mes policisë dhe një personi të dyshuar për grabitjen në aeroportin e Rinasit.
Sipas Hoxhës, policia ka bastisur banesën e personit të dyshuar pasi nuk e ka gjetur atë në banesë. Më datë 1 korrik, personi i dyshuar është qëlluar me armë zjarri nga persona të paidentifikuar duke tentuar ta vrasin, u shpreh Hoxha.
Autorët, sipas gazetarit, kanë qenë të ndarë në 3 automjete. Vendi i ngjarjes është pastruar nga disa persona që kanë ardhur me pretekstin për të larë makinën në lavazh.
“Disa janë thirrur, i kanë kërkuar të paraqiten vetë dhe ata janë paraqitur, bashkë me alibinë se nuk kemi qenë ne. Çfarë ndodhi, në një banesë e cila ndodhet në fshatin Derven është bastisur banesa dhe nuk është gjetur personi, i cili dyshohej se mund të ishte një nga pjesëtarët e grabitjes. Një ditë më pas, me datë 1 korrik, përgjatë një aksioni që unë ende nuk e kam verifikuar, ekzaktësisht se cila njësi e ka kryer, është qëlluar me armë zjarri ndaj një personi i cili mendohet se ka qenë tek grupi i personave të dyshuar që mund të ketë marrë pjesë në grabitje. Është qëlluar me armë, madje kanë qenë tre automjete, për fatin e mirën nga vendi i ngjarjes unë kam siguruar një predhë, ai që e ka përdorur e ka pas armën e mbushur. Unë i bëj thirrje Prokurorit të nisë hetimet. Ai është një plumb me dy shpërthime dhe nuk bën rikoshet. Po të hyri në trup, mbaron punë”, tha Hoxha në Opinion.
Deklarata e Artan Hoxhës është bërë në emisionin “Opinion”.





