Teuta rikthehet në fushë për të filluar përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat kundër Kamzës. Barazimi i arritur në Tiranë ka lënë një shije pozitive te bregdetarët, por tani fitorja është opsioni i vetëm. Në sezonin e fundit, përballjet me kamzalinjtë kanë qenë tepër të luftuara, megjithatë në shtëpi, “djemtë e detit” nuk mendojnë asnjë rezultat tjetër përveç tre pikëve. Në katër ndeshjet e fundit mes tyre në Superiore, bregdetarët regjistruan një fitore, dy barazime dhe një humbje.

Sekou Kamara është shqetësimi i vetëm për stafin teknik, pas dëmtimit që ky i fundit pësoi në kryeqytet. Gjithsesi, lajmi i mirë për trajnerin Bledi Shkëmbi është, që ai mund të llogarisë shërbimet e mesfushorit Sherif Kallaku, i cili prej disa ditësh po punon me grupin dhe duket në një gjendje të mirë.

Në rast se Kamara nuk arrin të riaftësohet, trajneri korçar mund të aktivizojë në krahun e djathtë të sulmit mesfushori e ri të talentuar Lorenco Vila, i cili në ndeshjen e parë e nisi nga stoli. Përveç tij trajneri ka edhe opsione të tjera si Unedi Vecaj, i cili zëvendësoi afrikanin kur u dëmtua apo edhe Ardit Deliu.Ish-mbrojtësi Ante Hrkaç, në sezonin e ri do të jetë pjesë e Al-Qaisumah dhe do të luajë në kampionatin arab, edhe pse ishte nën kontratë me Teutën. Mësohet se ai ka fituar të drejtën të federohet me AlQaisumah.

26-vjeçari “braktisi” Teutën me motivin se kishte disa probleme familjare dhe nuk u bashkua me klubin gjatë fazës përgatitore edhe pse ishte nën kontratë dhe në Durrës e prisnin të vihej nën urdhrat e stafit teknik. Gjatë kësaj periudhe, ai arriti marrëveshjen me Al-Qaisumah për ta vazhduar karrierën në Arabi, por kontrata që ai firmosi me klubin arab ishte kundër rregullave për shkak se në sistemin TMS figuronte si një lojtar i regjistruar tekTeuta.

Klubi bregdetar e paditi në FIFA boshnjakun, megjithatë, ai duket se ka fituar të drejtën të federohet në mënyrë provizore me ekipin e AlQaisumah në Arabinë Saudite. Gjithsesi, klubi bregdetar nuk do të ndalet këtu, ndërsa pret një përgjigje nga FIFA.