Pëllumb Bulku, ka pak muaj që e mbylli angazhimin shtetëror pranë klubit shumësportesh Teuta. Por për mjekun e njohur ortoped, pensioni është diçka i harruar. Emri i famshëm i babait Cen Bulku, por i amplifikuar shumëfish më tepër edhe nga puna pasionante dhe e palodhur e vetë Pëllumbit, kanë krijuar miq e dashamirës brenda dhe jashtë vendit.
Por ndërkohë janë me qindra dhe mijëra pacientët që kartelizohen në vijimësi nga vizitat e panumërta që kryen Pëllumbi. Largimi nga pallati i sportit Ramazan Njala është përjetuar nga kolegët e tij, të cilët donin ta kishin gjithnjë pranë mjekun, njeriun e urtë dhe bujar Pëllumb Bulku. Ndonëse ka lënë mjedisin funksional në pallatin e sportit të qytetit, ortopedi i njohur vazhdon të kryejë vizita në shtëpi.
Bëj publike nismën time për t’i shërbyer pa pagesë tri kategorive: fëmijëve që lindin me probleme në zhvillimin kockor, të moshuarve të azileve dhe pa kujdes dhe invalidëve të punës dhe të luftës. Dera e klinikës time është e hapur për këdo, por këto tri kategori do të kenë preferenca
“Më vijnë pacientë në çdo orë të ditës,- thotë Pëllumbi,- dhe ndonëse ndjehem në pozitë të vështirë për t’i shërbyer nga kushtet e pamjaftueshme të shtëpisë, u shërbej atyre më shumë përkushtim”. Por Bulku është ndjerë me krahë dhe mbetet shumë i prekur, nga kujdesi i kryetarit të Bashkisë Vangjush Dako. Falë këtij kujdesi Pëllumb Bulku, tani po ushtron profesionin në një mjedis shumë të përshtatshëm dhe komod.
“E falënderoj nga zemra zotin Dako,- shprehet Pëllumb Bulku,- sepse ndihma që më është dhënë mua, është në vetvete ndihmë edhe për pacientët dhe njerëzit e shumtë në nevojë mjekësore. Si refleks i kësaj ndihme, bëj publike nismën time për t’i shërbyer pa pagesë tri kategorive: fëmijëve që lindin me probleme në zhvillimin kockor, të moshuarve të azileve dhe pa kujdes dhe invalidëve të punës dhe të luftës. Dera e klinikës time është e hapur për këdo, por këto tri kategori do të kenë preferenca”.
I urojmë mjekut Bulku mbarësi, për të vazhduar edhe më tej t’i shërbejë njerëzve me punën e tij të pazëvendësueshme.