In memoriam/ Dhimbje për njeriun e urtë dhe të mençur Nevruz Çela…
Nga BUJAR QESJA
Lajmi i dhëmbshëm u përhap herët sot, në këtë të hënë të 2 nëntorit 2020. Në mbrëmjen e vonë të 1 nëntorit, dha frymën e fundit një njeri i urtë dhe shumë i mençur, që njeri që i dha shumë Durrësit të tij, luftoi dukshëm për emancipimin e shoqërisë së re deomokratike, një idealist i pakonkuruar. Është miku dhe shoku ynë i paharruar Nevruz Çela. Në këtë periudhë dhimbjesh, të ngarkesave të jashtëzakonshme psikologjike, ku ky Covid se nga dreqin na doli, po bën kërdinë mbi trupat tanë, vjen edhe ky lajm i trishtë, që na brengos edhe më shumë. Dhe në pritën e kësaj murtaje, ra edhe Vuçi i jonë. E rëndë dhimbja, por ja zemrat tona të copëtuara duhet të testojnë përsëri veten, të qendrojnë dhe të përballen.
Nevruz Çela i datëlindjes 18 gusht 1945, sapo la pas 75 vite jetë, duke dëshiruar të shikoj një ditë të bukur për Durrësin e tij të zhvilluar, të rimëkëmbur dhe pse jo edhe pa sherre dhe grindje njëri me tjetrin.
Nuk ka si bëhet një njëri më i mirë se sa Nevruz Çela, që kurrë nuk e tundi kartën e persekucionit të ashpër politik për përfitime personale. Ai mezi priti që pranvera e demokracisë të mbulonte një ditë vëndin e tij dhe kjo ditë erdhi. Dhe e pamë këtë njeri plot energji, plot mendim, me një urtësi të lindur, me një komunikim gjithpërfshirës, me një dashuri për njeriun, pa i ndarë dhe etiketuar, të vihet në krye të lëvizjes masive kundër një sistemi, që kishte mbjellë deri në palcë luftën famëkeqe të klasave.
E nuk kishte se si që në ditët e para të pluralizmit, Nevruz Çela të mos meritonte detyrën e delikate të Kryetarit të Komitetit Pluralist të qytetit të Durrësit, një lloj ekuivalence më kryetarin e sotëm të Bashkisë. Pak muaj, por shumë punë. Fiziku i tij i brishtë fluturonte, pasi besonte, besonte shumë miku ynë i çmuar, Nevruzi ynë i shkëlqyer, me një zemër më të madhe se trupi. Në zgjedhjet e para pluraliste të 22 marsit 1992 u zgjodh deputet i Durrësit në parlamnetin shqiptar. Ai nuk bërtiste, por me urtësinë e tij, me forcën e fjalës, me fuqinë e mendimit, problemet që ngrinte kishin forcë, potencë, pasi ishin të vërteta, vinin nga një person që vuajti shumë persekucionin, por kurrë dora e tij nuk bë grusht, për ti rënë gjoksit të copëtuar. Jo. Revanshet dhe lufta ndaj njëri tjetrit duhet të marrin fund, shprehej gjithnjë Vuçi ynë. “Demokracia nuk është rrëmujë, as dhunë por mirkuptim dhe debat konstruktiv”. Ai e donte Durrësin, e donte Atdheun e tij, i donte durrsakët dhe shqiptarët, pasi donte lirinë, emancipimin dhe civilizimin.
Pasi kryen detyrën e sekretarit të Bashkisë së Durrësit deri në vitin 1997, krejt natyrishëm shkëputet nga jeta politike, për të bërë një tjetër politikë atë të urtësisë, të një lloj heshtje, që edhe kur e takoje ia lexoje në fytyrë se e donte demokracinë dhe shoqërinë e re shqiptare më ndryshe, me tjetër orjentim, për të qenë pranë njerëzve dhe për të zgjidhur hallet e tyre.
Problemet me pronat, trajtim i i shtresës së të persekutuarve, janë të paktën këto dy drejtime bazë që nuk u trajtuan dhe zgjidhen me ndershmëri, saktësi dhe përgjegjësi.
Në vitin 2010 botoi një shenjë kuptmplotë për demokracinë e brishtë shqiptare. Përktheu nga italishtja librin “Demokracia pa iluzione” të profesorit të njohur italian Domenico Settembri.
E kam takuar disa herë këtë njeri ekselencë, të veçantë, që më shumë e dëgjoje kur nuk fliste, pasi mendim i i tij ishte shkruar qartë. Kuptohej. Ky idealist, kërkonte të ndiqej një politikë idealiste, një politikë që ta gëzonte popullin e tij, ti jepte kurajo dhe besim, të shpresonte tek e nesërmja. Por jo gjithçka ia plotësonte dëshirën.
E kam takuar Nevruz Çelën edhe në kohën e komunizmit. Po i njëjti në karakter dhe natyrë. Flitnim shumë për volejbollin, pasi ai ishte pasioni i tij. Të befasonte me njohuritë e tij. Sa herë që ndaheshim pas bisedave interesante, mëndjen e kisha se çfarë kishte konsumuar me ne ky njeri i thellë në gjykim, surprizues deri në një habi dhe çudi mbreslënëse. E kam takuar edhe para disa javësh, teksa bëja ecjen time të zakonshme në bregdetin e plazhit të Durrësit. Ishte i shoqëruar me bashkëshorten e tij fisnike, Verën madhështore të gruas durrsake. Ndalonim, natyrisht paksa në distancë. Ruhej. E kishte vënë edhe maskën.
-Besoj se do ta kalojmë Bujar, më thonte. Po na rrezikon. Ja dalim me Verën të marrim ajër. Po tregojmë kujdes. Por duket se do të vazhdoj gjatë. Të përqafoj miku im. Uroj të jeni mirë.
Dhe ndaheshim nga ky njeri i mirë, për të pritur rastin e ritakimit. Dhe na vjen dita e 2 nëntorit 2020. Dhimbja kur vika kështu papritur, qënka më e keqe, më dërrmuese, më shkatërruese e asaj që ne ruhemi shumë –psikologjisë. Nuk mund ta besoj se nuk do ta takoj më Nevruz Çelën, duke më mbetur në kujtesë kujdesi i tij për ne:
-Ruhu Bujar, bëj kujdes. Kjo nuk qënka shaka!
Dhe ky Covid i pabesë, na e mori Nevruzin, na e mori djalin më të mirë të Durrësit, na e mori urtësinë e mendimit dhe të gjykimit. Sikur diçka tani e kemi më pak. Edhe dielli më duket, se nuk e çfaq plotësisht ngrohtësinë sot. Dhe nuk e “fajsoj”. Është një ditë që dhëmb. Nuk do ta kemi më Nevruz Çelën, Nevruzin tonë të mirë!
Prekëse është edhe dedikim i mikut të tij Vaso Papaj, që i kushton një poezi Nevruz Çelës, në këtë ditë të ndarjes së tij. Po shkëpus këto vargje:
Sa rrugë më duhet akoma të përshkoj
Para se të gjej tani një njeri të vërtetë?
Mos ai, si një lejlek mbi dete fluturon
E s’ka pranverë ta kthejë në folenë e vet?
Dheu i lehtë Nevruz Çela, djali i paharruar i Durrësit tonë!
Durrës: 2 nëntor 2020





