6 qershor 2015 – Një 18-vjeçar është mbytur në lumin Erzen, teksa po peshkonte së bashku me dy shokë të tij.
Viktima I.Xh., 18 vjeç nga Sharra, kishte dalë për të gjuajtur peshk me dy bashkëmoshatarët e tij, por fatkeqësisht humbi jetën pasi u rrëmbye nga ujërat e lumit.
Në pamundësi për të ndihmuar shokun e tyre, të rinjtë lajmëruan familjarët dhe policinë.
Në vendin e ngjarjes mbërritën efektivët dhe polumbarët e forcave RENEA, të cilët nxorrën nga lumi trupin e pajetë të 18-vjeçarit. Më pas viktima u dërgua në morg për t’i bërë ekspertizën mjeko-ligjore.
Ndërkohë, policia ka marrë në pyetje edhe dy shokët e viktimës, për të zbardhur shkaqet e plota të ngjarjes.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/