3 janar 2014 – Një 34 vjeçar ka ndërruar jetë teksa është rrëzuar nga një shkëmb, pasi ishte per gjueti. Ngjarja ka ndodhur para katër ditësh në liqenin e Ohrit. Policia maqedonase mbajti trupin e viktimës për katër ditë, pavarësisht kërkesës së familjarëve për ta tërhequr trupin e të afërmit të tyre.
Dyshohet se 34-vjeçari Florian Çera, nga fshati Alarucë e Pogradecit, është rrëzuar aksidentalisht nga një shkëmb, dhe si pasojë ka humbur jetën. Ndërkaq, familjarët e 34-vjeçarit kanë pretendime se nuk janë të qarta rrethanat e ngjarjes.
Sipas policisë maqedonase, i riu ka rënë nga një shkëmb dhe ka humbur jetën para 4 ditësh. “Mjegulla i pengoi shikimin”, ka shtuar më tej policia maqedonase. Policia ka mbajtur trupin e të riut prej 4 ditësh dhe e ka dorëzuar dje, pavarësisht kërkesave të familjes që kërkuan dorëzimin më parë.
Pas ngjarjes së rëndë është prononcuar nipi i viktimës, Robert Mazelli, i cili nënvizon se gjuetinë e paligjshme, e kanë bërë nga varfëria.
"Floriani la amanet 3 fëmijët, ishin familje e varfër. Ngjarja ishte aksidentale, ka rënë nga një shkëmb 400 metra. Ishim bashkë në gjueti, dha shpirt në krahët e mi", rrëfen më tej ai.





