Është ndarë nga jeta në moshën 37-vjeçare nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit, Ervin Saraçi. Mësohet se disa ditë më parë ai i ishte nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, e cila kishte përfunduar me sukses, por më pas ka pësuar hemorragji cerebrale.

Ervin Saraçi kishte mbaruar studimet e larta për gjuhën frënge në Elbasan, mandej kishte kryer masterin për shkenca politike në Belgjike. Në vitin 2006-2007 punoi si mësues i gjuhës Frënge në Shkollën e Mesme të Përgjithshme në Peqin.

Në shtator të vitit 2011-2013 iu besua drejtimi i kabinetit të kryetarit të bashkisë Elbasan. Në vitin 2013-2015 u emërua drejtor i drejtorisë së Kujdesit Social po në bashkinë Elbasan e më pas u rrit në detyrë, duke zënë postin e nënkryetarit të bashkisë, post të cilin e mbante deri tani.