Ka ndërruar jetë ditën e djeshme në spital 27-vjeçari Amarildo Pajtoni, ose siç njihej ndryshe për familjarët dhe shoqërinë si “Ildi”, pasi ishte përfshirë në një aksident tragjik të regjistruar rreth tri javë më parë në autostradën Kavajë-Rrogozhinë.

Më 26 qershor, Amarildo Pajtoni u përplas me një makinë në autostradën Rrogozhinë-Kavajë. Ai u dërgua me urgjencë në spitalin e Traumës, ku ndodhej në gjendje kome për shkak të goditjeve në pjesën e kokës.

Sot policia e Durrësit sqaron se, në lidhje me këtë rast janë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit. Në përfundim të këtyre veprimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin J. S., 38 vjeç nga Kosova për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, i cili ishte drejtuesi i mjetit të cilin goditi nga pas motori i 27-vjeçarit.

Viktima është djali i sipërmarrësit të njohur, Mentor Pajtoni.

Njoftimi i policisë Durrës:

Në lidhje me aksidentin rrugor të ndodhur rreth orës 10:15, të datës 26.06.2024, në autostradën “Kavajë-Rrogozhinë”, ku motomjeti me drejtues shtetasin A. P., 27 vjeç, banues në Tiranë, ka goditur nga mbrapa automjetin me drejtues shtetasin kosovar J. S., 38 vjeç, dhe si pasojë mbeti i dëmtuar 27-vjeçari, i cili u transportua në Spitalin e Traumës, ju informojmë se:

Në lidhje me këtë rast janë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit. Në përfundim të këtyre veprimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin J. S., për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Nga kryerja e testit të alkoolit, 38-vjeçari rezultoi 0.00 mg/l.

Dyshohet se për shkak të dëmtimeve nga ky aksident, ditën e djeshme, shtetasi A. P. ka humbur jetën në Spitalin e Traumës, Tiranë.