Një 42-vjeçar shqiptar ka humbur jetën tragjikisht pas një aksidenti të regjistruar në rrugën “Larissis” në Greqi. Shqiptari ndërroi jetë në Volos pak orë pasi u përfshi në aksident mëngjesin e së enjtes.

Sipas informacioneve, aksidenti ka ndodhur afërsisht dhjetë minuta para mesnate, në rrugën “Larissis”, në kryqëzimin e saj me rrugën “Ypsilantou”.

Në aksident është përfshirë motori i drejtuar nga 42-vjeçari dhe një makinë e drejtuar nga një 26-vjeçar. Shqiptari mësohet se po udhëtonte nga zona e Shën Anargyrit në drejtim të Larissis kur është përplasur me mjetin e të riut nga Volosi.

Përplasja ka qenë e fortë dhe në vendngjarje ka mbërritur një ambulancë për të transportuar 42-vjeçarin në spital. Edhe pas marrjes së ndihmës mjekësore dhe përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë ai ndërroi jetë rreth dy orë e gjysmë pas aksidentit.