Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen është regjistruar mbrëmjen e djeshme më 6 gusht në Rrugën e Kombit.
Një 38-vjeçar nga Kosova humbi jetën, pasi doli nga rruga me motomjetin që drejtonte. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00 në afërsi të fshatit Fan, në Mirditë. Sipas të dhënave paraprake, drejtuesi dyshohet se humbi kontrollin mbi motomjetin.
Si pasojë, mjeti doli nga rruga duke shkaktuar aksidentin fatal. I plagosuri u transportua me urgjencë në Spitalin e Rrëshenit për të marrë ndihmë mjekësore. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 38-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Viktima është identifikuar me inicialet L. D., shtetas nga Kosova. Në vendin e ngjarjes mbërriti grupi hetimor për të kryer veprimet procedurale. Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti tragjik.





