Kohët e fundit ambientet e lojërave të fatit po kthehen gjithnjë e më shumë në arena ku konsumohen vepra të ndryshme penale. Rasti më i fundit ishte ai i datës 30 gusht, kur shtetasi Erton Krasniqi është konfrontuar për motive të dobëta me bodyguard-in e një kazinoje. Ngjarja është regjistruar rreth orës 21 të mbrëmjes në bingo “Roma”, e cila ndodhet në lagjen nr.4 të qytetit të Durrësit. 

Burime policore bëjnë të ditur se shtetasi Krasniqi, pasi ka humbur një sasi parash në lojërat e fatit të kësaj kazinoje ka nisur të protestojë që t’i ktheheshin paratë. Në pamundësi për ta larguar klientin problematik punonjësit e kësaj pike kanë njoftuar personelin e sigurisë. Po ndërsa po tentohej të nxirrej jashtë Krasniqi ka nisur të godasë me grushta në fytyrë 46 vjeçarin Nue Prroni, duke i shkaktuar atij dëmtime të lehta.

Prroni pas kësaj ngjarjeje ka depozituar padinë e tij pranë organeve të rendit, të cilat menjëherë kanë filluar procedimin penal në gjendje të lirë për Erton Krasniqin. Mbi këtë shtetas rëndon akuza e plagosjes së lehtë me dashje, parashikuar nga neni 89 i K.Penal.

Duke parë statistikat gjithnjë në rritje të kriminalitetit që gjeneron prej pikave të lojërave të fatit dhe basteve sportive, pak ditë më parë, bashkia e kryeqytetit ngriti një grup pune, i cili do të përcaktonte vendin se ku do të spostoheshin këto lokale.

Për të parandaluar regjistrimin e veprave të tjera penale grupi i punës e pa të arsyeshme zhvendosjen e këtyre pikave në periferi të kryeqytetit, në zonën e ish-uzinës së Autotraktorëve. Me këtë masë pushteti lokal tenton të reduktojë numrin e personave që i frekuentojnë këto ambiente, të cilat kohët e fundit janë shtuar së tepërmi.