Një punonjëse “call center”-i ka paditur kompaninë ku ajo punonte pasi ka pësuar dëmë në zërin e saj.

Kompania nën akuzë është “Voice Care” në Itali, e drejtuar nga Gabriele Moreti. Ai është paditur nga një punonjëse e cila pas nëntë vitesh punë si operatore kishte pësuar dëmtime të zërit të pakthyeshme. Përveç menaxherit, padi janë ngritur edhe ndaj përgjegjësit të sigurisë së “call center”-it dhe tre mjekëve të punës.

Padia u bë dhjetorin e kaluar, kur një 44-vjeçare nga Torino rezultoi e prekur nga “cordite cronica”, siç u diagnostikua nga mjekët. Gruaja kishte punuar në “call center” nga viti 2003 deri në 2012-n, duke folur mesatarisht 40 minuta në orë çdo ditë. Nga hetimet rezultoi se kompania nuk i kishte marrë në konsideratë probleme të kësaj natyre, duke bërë që gruaja të humbte zërin. Ajo i akuzon të pandehurit se nuk e larguan qysh në momentin që u dalluan shenjat e para të cilat ua kishte bërë të ditur dhe se nuk kishin marrë masa për parandalimin e rasteve të tilla.

Procesi pritet të nisë në shkurt 2016 dhe do të jetë rasti i parë i trajtimit të një sëmundje profesionale në “call center”.