Përulje dhe nderime për punën e tyre, por COVID-19 nuk i la të çonin deri në fund misionin; atë të shpëtimit të jetëve. Bluzat e bardha të Kosovës janë solidarizuar me kolegët e tyre që humbën jetë nga koronavirusi, ndërsa para Emergjencës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, kanë ndezur qirinj për të nderuar profesionistët shëndetësor që sot nuk janë më.

Dhomat e profesionistëve shëndetësor kërkuan që të ndizen qirinj për ata që e humbën betejën me koronavirusin, ndërsa të fiken dritat në çdo shtëpi për një minutë në përkrahje të te gjithë bluzat e bardha qe janë në vijën e parë të frontit në luftën me pandeminë.

Udhëheqësit e institucioneve shëndetësore iu bashkuan thirrjes për ndezje të qirinjve e bashkë me ta edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj i cili tha se ndajnë dhimbjen për humbjen e profesionistëve shëndetësorë, por edhe ndjehen krenarë me punën e tyre. “Si ministër i Shëndetësisë shprehim konsideratën për punën, përkushtimin e tyre gjatë gjithë jetës në shërbim të qytetarëve të Kosovës me ruajtjen e shëndetit të tyre. Por, fatkeqësisht 13 nga ta pësuan nga virusi Covid-19 dhe ne sot ndajmë dhimbjen por njëherit krenarinë për punën e tyre dhe përkushtimin sidomos gjatë kësaj faze kur po përballemi ne dhe gjithë globi në luftimin e kësaj pandemie”, tha Zemaj.

Qirinj në nderim të mjekëve të vdekur nga Covid-19, mbrëmë janë ndezur para çdo institucioni shëndetësor në Kosovë, ndërsa edhe dritat u fikën për 1 minutë. Mbi 12 mijë persona në Kosovë janë prekur me Covid-19, në mesin e tyre edhe profesionistë shëndetësor, ku 13 prej tyre e kanë humbur jetën.