Babë e bir, që humbën jetën tragjikisht si pasojë e shpërthimit në një zonë në Lushnjë, janë përcjellë për në banesën e fundit.

Në Stan Karbunarë ditën e sotme u hapën dyert e mortit për Roland dhe Lidio Hoxhën, babë e bir që humbën jetën teksa punonin në ndërtimin e një kapanoni.

Fshatin e ka pllakosur zija, ndërsa fqinjët rrëfejnë mes lotësh se ishin punëtorë dhe familje e shkëlqyer.

Roland Hoxha dhe i biri, Lidio ishin duke punuar në vinç ku me ndihmën e tij ngrinin 2 bombola oksigjeni me të cilat po kryenin saldime në pjesën e tarracës. Dyshohet se gjatë punës një bombol u shkëput nga vinçi dhe u përplas në tokë duke shkaktuar një shpërthim që shkatërroi gjithçka dhe mori jetën e të dyve.

Nga fuqia shpërthyese u shkëputën telat e tensionit të lartë 110 kv që kalonin sipër magazinës që po ndërtohej nga deputeti i Partisë Socialiste prej 2 mandatesh në Lushnje Bujar Çela, i cili mbeti i plagosur së bashku me gjashtë persona të tjerë të cilët kanë qenë duke punuar në magazinën e tij.

Të dëmtuarit u transportuan në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa për manovratorin e vinçit Roland Hoxha i cili ndërroi jetë në vendngjarjen dhe të birin Lidio, i cili ndërroi jetë 2 orë më vonë, mjekët nuk mundën të bëjnë gjë, pasi dëmtimet ishin të konsiderueshme. Për ta ishte dita e parë e punës ne këtë kantier qe rezultoi dhe e fundit.

Krahas deputetit Çela dhe 41-vjecari Sokol Lumi në Lushnjë janë të lënduarit Sajmir Korreshi, Ilia Sota, Lunedi Golemi, Eriget Gorovelli dhe Ervis Sharka.