Gjenden shëndoshë e mirë çifti i turistëve hungarezë që kishin humbur të dielën në Karaburun.

Çifti i turistëve nga Hungaria kishte dhënë sinjalin SOS pasi kishin humbur rrugën. Pas kësaj, ata duke mos e gjetur dot rrugën e kthimit për shkak të errësirës dhe tërrenit të vështirë, kishin vendosur që të ngrinin çadrën e kampingut dhe të kalonin natën aty.

Por zona që kishin zgjedhur rezultoi një pikë pa mbulim nga valët telefonike ç'ka e ka bërë të pamundur kontaktimin me policinë. Vetëm gjatë mëngjesit të sotëm, policia ka mundur të lokalizojë dhe më pas të gjejë dy turistët hungarez në një zonë të Karaburunit.

Në kërkim të tyre kanë qenë punonjësit e qendrës së vizitorëve Radhimë, së bashku me policinë kufitare dhe Delta Forcë, të cilët për asnjë moment nuk i ndërprenë kërkimet për lokalizimin e tyre.

Sipas policisë, ata gjenden në një zonë në Karaburun që quhet Qafa e Thellë, zonë shumë e vështirë për të shkuar.