Zgjedhjet e përsëritura në Rrogozhinë, Sali Berisha i cilësoi një farsë të organizuar nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Në një deklaratë për mediat, kreu i “Rithemelimit” foli për një proces të manipuluar zgjedhor. Sipas tij, PS në Rrogozhinë ka ushtruar “terror fiskal e fizik”.  Ai foli për fleta votimi të përgatitura paraprakisht, fotografim të votës, votime familjare e të tjera.

Berisha iu përgjigj edhe deklaratave të bëra më herët nga Erion Veliaj, i cili fliste për demokratë që kanë votuar majtas duke refuzuar të dalin në krah të Berishës.

“…Veliaj nuk bie në këtë pozitë. E thotë haptas sot, se fituam jo se na duan, po se nuk duan Sali Berishën. I kapi tmerri i Berishës. Këtu kanë të drejtë, sepse PD, opozitë e vërtetë, po i bën autopsinë kësaj kalbësire.”

Kreu i PD-së së Rithemelimit theksoi edhe një herë se për të kthyer votën e lirë, “i vetmi opsion është përballaja në protesta të fuqishme.”