TIRANE, 25 qershor 2013 – Më në fund, shqiptarët u zgjuan nga gjumi dhe votuan kundra poshtërimit, papërgjegjshmërisë, korrupsionit të ngritur në sistem, vrasjeve në bulevard, kapjes së drejtësisë dhe kundra bandës mafioze në pushtet. Shqiptarët u zgjuan dhe përsëritën kthesën historike të ’92 dhe ’97, duke shpartalluar me votë pushtetin në çdo pëllëmbë toke të hartës së Shqipërisë. Por, përtej këtij realiteti vullneti përthyhet në shifra, dhe zgjedhjet e 23 Qershorit kanë disa fitues dhe humbës të mëdhenj. Fituesit e mëdhenj të këtyre zgjedhjeve janë padyshim Ilir Meta dhe Sali Berisha. Por, kush janë humbësit e 23 Qershorit?

Humbësi më i madh i zgjedhjeve të 23 Qershorit është kryebashkiaku i votave të vjedhura, Lulzim Basha, pretendent kryesor për pasardhës i Berishës. Në një hark kohor prej dy vitesh, Saliu i vogël në Bashkinë e Tiranë, ka sfiduar Saliun e madh në Kryeministri, sa i takon mashtrimeve dhe poshtërimit të qytetarëve. Janë të pafundme mashtrimet dhe skandalet e kryebashkiakut të votave të vjedhura. Qytetarët e Tiranës i kanë dhënë një mesazh të qartë Lulzim Bashës në 23 Qershor. Lulzim Basha kryesoi fushatën e PD në Tiranë dhe ishte shpresa më e madhe e Berishës për të ruajtur pozitat e 2009. Por, në Tiranë, Partia Demokratike ka pësuar disfatën më tronditëse dhe përvëluese. PD është katandisur në 13 mandate, nga 17 që pretendonte. Ndërkaq, si mos të mjaftonte kjo, Lulzim Basha ka humbur edhe në lagjen e vet.

Nga numërimi në qendrën e votimit ku ka votuar familja Basha, lagjja e kryeqytetit ku kryebashkiaku aktual është lindur dhe rritur, rezulton se e majta ka marrë 216 vota, ndërsa e djathta 210 vota. Nuk dihet nëse Basha do të guxojë që të rikandidojë për një mandat të dytë, pasi humbja e tij mund të shënonte një rekord historik. Humbësja e dytë e madhe e zgjedhjeve të 23 Qershorit, është padyshim Jozefina Topalli, e cila ka kryesuar fushatën e PD në këtë qark. Humbjen  shkatërruese Partia Demokratike e ka pësuar në Shkodër. Zonja Topalli pretendonte për 9 mandate, por nga rezultati i deritanishëm PD është katandisur në 5 mandate, ndërsa PS-LSI kryesojnë me 6 mandate. Pas disfatës në Shkodër, zonja Topalli ka humbur edhe statusin e pretendentes për pasardhëse e Sali Berishës.

Olldashi, Bode dhe Imami

Një tjetër humbës i madh në këto zgjedhje është Sokol Olldashi, drejtuesi i fushatës së PD në Qarkun e Fierit. Në Qarkun e Fierit e majta kryeson me 11 mandate deputetë, ndërsa PD është katandisur në 5 mandate, rezultati i keq që mund të imagjinohet. Sokol Olldashi është përgjegjësi kryesor për disfatën e thellë të PD në këtë qark. Arben Imami, ministri kampion i Sali Berishës për afera dhe skandale, është një tjetër humbës i madh i zgjedhjeve të 23 Qershorit. Imami nuk arriti të ruante rezultatin e 2009 për PD në Elbasan. E majta ka përmbysur rezultatin duke kryesuar me 8 mandate, ndërsa Imami i ka humbur një mandat PD. Ridvan Bode është një humbës po aq i madh sa edhe Arben Imami. Bode ka pësuar një disfatë të thellë në Korçë. Po ashtu, edhe Astrit Patozi, listohet në humbësit e mëdhenj të PD. Patozi është shpartalluar në Qarkun e Vlorës.

Gallatë me Nokën në internet

Në internet ka plasur gallata në lidhje me rezultatin e turpshëm të Partisë Demokratike. Nisur nga fakti se tanimë harta është e gjitha mavi, ka sugjerime që kryetar i PD-së të bëhet Flamur Noka, pasi vetëm ai ka rezistuar në Kukës, ndërkohë që Berisha, Topalli, Basha, Olldashi, Bode e të gjithë me radhë janë humbës. Në të vërtetë vetëm Flamur Noka ka arritur të ruajë rezultatin në qarkun e ku ai ka kryesuar fushatën e PD. 

/a. d. Sot News/