Ekskluzivisht/ Duhej të mbërrijë në portin e Durrësit, të dielën, më 21 shtator 2014
DURRËS, 18 shtator 2014 – Ka 24 orë që anija me skrap izraelit për në Durrës për llogari të grupit turk të “Kurum”-it, ka fikur AIS-in (sistemin e identifikimit automatik).
Dispeçeri i drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të ndërmarrjes shtetërore të Autoritetit Portual Durrës ka njoftuar se të dielën, më 21 shtator 2014, mbërrin anija Vasadiep, që do të shkarkojë në kalatën nr. 11 të Terminalit Lindor 3 000 tonë skrap për llogari të prodhuesit turk të çelikut të Elbasanit “Kurum”.
“Dyrrah”-u ka zbuluar se transportuesi i mallrave të përgjithshme Vasadiep me flamur, ndërtues dhe pronar-menaxher holandez, kompania “Feederlines” e portit të Groningen-it, është nisur nga porti izraelit i Haifa-s, më 17 shtator 2014, ora vendore 12:22.
Informacioni i fundit, sipas portalit marinetraffic.com, është marrë ora 18:40 të datës 17 shkurt 2014, teksa ndodhej në detin Egje, në koordinatat 33.12533° / 33.422°, (shih faksimilen e hartës).
Kjo është e çuditshme, pasi kemi të bëjmë me një anije relativisht të re (ndërtuar në vitin 2002) nga Vendet e Ulëta, klasifikuar nga Llojdi gjerman (Germanischer Lloyd).
Ndërkaq, është për t’u vënë në dukje që grupi turk “Kurum” edhe herë të tjera ka blerë skrap në Haifa, duke kontribuar në qetësimin e marrëdhënieve të ndera midis Ankarasë dhe Tel-Avivit, qysh pas tetorit 2013, kur plasi një skandal agjenturash sekrete në Iran.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





