Zamira Durda e cila humbi djalin 7 vjeç nga tragjedia e Gërdecit shprehet skeptike pas kërkesës së SPAK drejtuar Gjykatës së Lartë për nisjen e procesit të gjykimit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu.

“Shpresat i kam pasur tek drejtësia e re, por përsëri me gjithë këtë lajm dhe jam optimiste dhe nuk jam. Jam në mëdyshje. Inshalla nuk do zhgënjehem deri në fund.  SPAK-ut i kam kërkuar rihapje të procesit, sepse ky ministër ka qenë me imunitet. Unë kërkoj që e gjithë dosja e Gërdecit…Sepse është pranuar gjykimi i shkurtuar pas 5 vjetësh hetime dhe kjo është e padrejtë. Duhet të jemi edhe ne familjarët pjesë e procesit gjyqësore. Të gjithë ne (familjarët) jemi bashkë te kërkimi i drejtësisë”, shprehet ajo.

Zamira Durdaj deklaron se kërkimi i drejtësisë për të birin është motivi i jetës së saj, ndërsa rrëfeu se pengu i saj ishin fjalët e fundit të Edisonit kur i kërkoi falje në spital.

“E kam çuar edhe në Strasburg që në 2009 edhe nga andej nuk kam marrë përgjigje. Ka disa vegla që ndërhyjnë. Nuk e di jam skeptike. Kërkimi i drejtësisë për tim bir është motivi i jetës time, arsyeja përse jetoj. Në momentin që e kam gjetur në spital është që kur e gjeta në spital dhe kishte dhënë vetë emrin dhe kur i drejtohem Edi biri im, me 60% të trupit të djegur, më tha më fal o ma që ika pa leje, ky është pengu i jetës sime, se çfarë faji kishte bërë ai. Unë do jem në të gjitha seancat e pranishme nëse SPAK-u do ta hapë. Të hapet dosja e Gërdecit në tërësi dhe të hetohet edhe për korrupsion, sepse ka shumë prova brenda”, shtoi Durdaj.