Shpresa Reçi (Allkanjari), 69-vjeçarja që humbi jetën në Itali si pasojë e koronavirusit, ka lënë dhimbje të madhe jo vetëm tek familjarët e të afërmit, por tek të gjithë ata që e njihnin nga afër.
Megjithëse kanë kaluar shumë vite, ish-nxënësit e mësuese Shpresës nuk e kanë harruar kurrë mirësinë e saj, aq sa kur mësuan për lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta, kërkuan t’i shprehnin ngushëllimet publikisht në shenjë mirënjohjeje e respekti për të gjithë brezat që ajo ka edukuar ndër vite.
Një grup nxënësish të maturës të viteve 1984 – 1988 nga Durrësi, përmes një komunikimi me “DurrësLajm” i japin ngushëllimet e tyre familjes:
“Na ka ardhur shumë keq kur mësuam lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të mësueses sonë, Shpresa Reçi. Përveçse një mësuese e jashtëzakonshme, brilante në Fizikë, shumë e përkushtuar ndaj arsimit dhe nxënësve, ajo mbi të gjitha ka qenë një njeri i veçantë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes e të afërmve”, thotë një nga ish-nxënësit që zyshë Shpresa ka edukuar më shumë se 3 dekada më parë, teksa kërkon të përcjellë dhe një apel për të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal në këtë kohë të vështirë pandemie, pasi Covid-19 po merr çdo e më shumë me qindra-mijëra jetë njerëzish, duke na lënë pas dhimbje e pikëllim të pashoq.
Shpresa Reçi ka qenë mësuese e Fizikës në shkollën e mesme në Golem. Ajo ishte shpërngulur në Lodi të Italisë ku dhe fatkeqësisht ndërroi jetë në shtratin e spitalit të qytetit ku banonte dhe u varros ditën e sotme po në vendin fqinj. Edhe bashkëshorti i saj ndodhet i shtruar në spital, i infektuar nga COVID-19 dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Çifti Allkanjari janë prindër të tre fëmijëve, të dy vajzave dhe të një djali.





