Është përciellë për në banesën e fundit motoristi nga Durrësi, Astrit Lamaj, i cili humbi jetën ditën e djeshme në aksin rrugor “Skërficë-Fushë Vërri”, teksa udhëtonte drejt Greqisë.

Sot të afërmit dhe miqtë i dhanë lamtumirën e fundit 53-vjeçarit. Shokët e tij motoristë kanë shoqëruar me motora në shenjë nderimi, makinën ku ndodhej arkivoli me trupin të ndjerit Lamaj.

Kujtojmë se sipas njoftimit të policisë, 53-vjeçari ditën e djeshme është përplasur me barrierat mbrojtëse dhe ka dalë nga rruga.

Ndërkohë, grupi i motoristëve durrsak thonë për “DurrësLajm” se në rrugë kishte prezencë vaji çka ka shkaktuar dhe përplasjen e Lamajt, ndërkohë që janë rrëzuar edhe 6 motoristë të tjerë, por fatmirësisht pa pasoja për jetën. Ata shtojnë se po në të njejtin vend pak javë më parë u aksidentua me motor edhe një çift italian, e si pasojë ndërruan jetë.

Grupi i motoristëve e ngrenë këtë problematikë duke iu bërë thirrje autoriteteve të marrin masa kundra personave përgjegjës që mund të kenë derdhur vajin, pasi kjo situatë mund të vazhdojë të marrë jetë njerëzish.