Pas 5 orësh kërkime, gjatë natës dhe në një terren shumë të vështirë malor, policia ka bërë të mundur gjetjen e turistes franceze e cila humbi rrugën teksa po eksploronte Majën e Jezercës.

34-vjeçarja ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Njoftimi i policisë:

Humbi rrugën gjatë natës, teksa eksploronte Majën e Jezercës, Policia i shkon në ndihmë turistes franceze.

Sapo janë njoftuar, rreth orës 23:00, se një turiste franceze 34 vjeçe, kërkonte ndihmë sepse kishte humbur rrugën gjatë eksplorimit të Majës së Jezercës, Komisariati i Policisë Tropojë, së bashku me Ekipin e Kërkim-Shpëtimit Malor, Valbonë, kanë organizuar punën për ta lokalizuar këtë shtetase dhe për t’i shkuar asaj, në ndihmë.

Pas 5 orësh kërkime, gjatë natës dhe në një terren shumë të vështirë malor, është mundësuar gjetja e 34-vjeçares, e cila është në gjendje të mirë shëndetësore.

Turistja ka falënderuar punonjësit e Policisë dhe të Ekipit të Kërkim-Shpëtimit Malor, Valbonë, për gatishmërinë e treguar dhe për ndihmën e ofruar.

Policia e Kukësit vijon të jetë maksimalisht e angazhuar për të garantuar sigurinë e turistëve dhe vizitorëve që zgjedhin vendin tonë.