Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Kamzës, Arjan Hoxha thotë se nuk do të njohë rezultatin e sotëm, ku ai nuk arriti dot të fitonte përballë rivalit socialist, Rakip Suli.

Në një deklaratë për mediat, Hoxha tha se votat janë vjedhur, ndërsa numërimi elektronik ka dështuar.

“Individë të paautorizuar kanë qenë në çdo qendër votimi, pajisjet elektronike u vërtetuan seishin një dështim total.

Kërkojmë të sekuestrohen pajisjet, serverat dhe një hetim të thelluar për pajisjet elektronike që kanë ardhure me zero garanci.

Kërkohet krahasimi me fletët fizike të votimit. Ne do të mbrojmë votën.

Një provë e kristaltë është edhe vetë rezultati në Kamëz. Rakip Suli kur ka kandiduar vetëm ka marrë 10 mijë, sot me kundërshtar përballë ka marrë 24 mijë vota. Ky rezultat është i paraprogramuar paraprakisht.

Kur vota blihet, vidhet dhe manipulohet çudirat ndodhin. Këtë rezultat ne patjetër që nuk do ta njohim, sepse është një rezultat i vjedhjeve dhe jo i zgjedhjeve. Ne kurrë nuk do ta njohim këtë rezultat dhe qytetarët e Kamzës këtë vjedhje nuk do t’ja falin kurrë”, tha nder te tjera Arjan Hoxha.