·Udhëzimi (në kohën kur u bë riorganizimi) i PD-së në qendër ndoshta nuk ishte i duhuri, shto dhe faktin që shpesh inatet e hakmarrjet lokale shtojnë dozën e tyre dhe ajo që ndodh është që mënjanohen drejtues fushatash që kanë drejtuar 4-5 herë me sukses seksionin e tyre, meqënëse udhëzimi hiqte ata që kishin humbur (dhe me 1 votë) në 2013-n. Të tilla eksperimente mund të bëhen në shkollë, por jo në parti
·Mënyra si ne (PD-ja) luajtëm politikisht me aleatët tanë ka shumë vend për analizë, mjafton të kujtoj rastin e Agron Dukës në Durrës, kalimin e një deputeti të Partisë Republikane pak ditë para nisjes së fushatës me LSI-në, prishja dhe mungesa e komunikimit me partitë e qendrës së djathtë
·Proces i riorganizimit dha numra në qendër (Tiranë) po nuk dha rezultat në bazë, pra nuk dha vota, sepse mungoi kapilarizimi a network-u quajeni si të doni. Ne “harrojmë” që vota merret, ruhet e forcohet pikërisht prej këtyre kapilarëve dhe nuk është çështje emërtimesh apo e njerëzve që merren diku, katapultohen në oborrin e selisë e në disa raste pa pasur asnjë lidhje natyrale me PD-në
·Lidershipi i PD-së ndoshta nuk krijoi sa duhet besim e shpresë te qytetarët se mund të fitonte, qoftë dhe për shumë debate e ngurrime, manovrash politike dhe jo vetëm në përcaktimin e kandidatëve, vonesat në nxjerrjen e emrave (p.sh., Dako dihej prej muajsh që do ishte kandidat dhe i shërbente prej 4 vitesh kandidimit të tij, bashkë me strukturat e PS-së në Durrës, ndërkohë Dumën e sollën 55 ditë para), për më tepër këtë herë kandidatët nuk morën as miratimin e kryesisë dhe në një fare mënyre u duk sikur z. Basha mori personalisht përsipër gjithçka
INTERVISTA: NGA LULJETA PROGNI
15 korrik 2015 – Blerja e votës, përdorimi i administratës në fushatën elektorale, presioni ndaj administratës dhe një sërë mekanizmash të tjerë të përdorur nga mazhoranca, sipas deputetit demokrat Igli Cara, sollën humbjen e PD-së në zgjedhjet e 21 qershorit. Në një intervistë për portalin “lajmepolitike.com”, ish-kryetari i degës së PD-së Durrës Igli Cara analizon edhe arsyet e brendshme, të cilat ndikuan në humbjen e kësaj partie në zgjedhje. Për Carën, rezultati i 21 qershorit nuk mund të konsiderohet test për kryetarin Basha, sepse, thotë ai, më pak se dy vite në krye të partisë, janë pak për t’u vlerësuar si provë. Megjithatë ai veçon problemin e mungesës së frymës në parti, mungesën e organizimit të saj dhe prurjet e reja të cilat sipas tij, shpesh u katapultuan në oborret e kësaj partie pa asnjë lidhje me historinë e pa asnjë kontribut. Pragmatizmi i tyre është, sipas Carës, një ndër arsyet e humbjes. “Nëse zgjedh pragmatizmin për njerëzit që mbledh në oborrin e selive të partisë, ata janë duke bërë llogaritë e tyre e jo të partisë. Rrjedhimisht në këtë rast mungon frymëzimi, mungon energjia pozitive me të cilën ndizen motorët e fushatës e me të cilën shkohet përpara”.
Zoti Cara! Partia Demokratike ka humbur në këto zgjedhje me rezultatin më dëshpërues në 25 vite të pluralizmit në Shqipëri… Cilat janë arsyet e kësaj humbjeje?
Zgjedhjet për pushtetin lokal, që këtë herë u zhvilluan në përputhje me ndarjen e re administrative, tashmë kanë përfunduar plotësisht dhe rezultati është ky që është. Të flasësh për humbjen dhe për humbjen që ju e cilësoni më dëshpëruese në 25 vjet të PD-së, nuk është e lehtë, madje është shumë e vështirë, por nëse bëjmë të kundërtën, pra heshtim është njëlloj si të mos dërgosh të sëmurin rëndë që ka nevojë të operohet te mjeku. Humbja në këto zgjedhje lokale është komplekse. Mazhoranca vinte pas rreth 20 muajsh të qeverisjes së vet, me shumë probleme, aksione në emër të vendosjes së shtetit, recensionit ekonomik dhe rritjes së papunësisë dhe në këto rrethana, ajo mati mirë forcat e veta, mobilizoi gjithë makinerinë e vet, që shkoi nga përdorimi institucioneve shtetërore në presionin ndaj biznesit, administratës e votuesit, një fushatë me shumë para, prezencë pa fund mediatike e para të paligjshme në shërbim të tyre, shtuar kësaj blerjen e votës e kartat false të identitetit. Një faktor tjetër shumë i rëndësishëm të cilin mazhoranca e projektoi me kujdes ishte koalicioni i tyre ASHE, rritja e numrit të partive në të (ASHE) ishte jo vetëm simbolikë e lojës së egër politike Rama-Meta, por dhe mesazh që u përcoll te qytetarët se të ardhme kanë veç ata që bëhen me pushtetin e tyre. Ndërkohë, mënyra si ne (PD-ja) luajtëm politikisht me aleatët tanë ka shumë vend për analizë, mjafton të kujtoj rastin e Agron Dukës në Durrës, kalimin e një deputeti të Partisë Republikane pak ditë para nisjes së fushatës me LSI-në, prishja dhe mungesa e komunikimit me partitë e qendrës së djathtë. Përballë makinerisë së pushtetit, parave, propagandës dhe interesave klienteliste duhet thënë e pranuar që PD-ja u gjet e papërgatitur dhe e paqartë për ta përballuar strategjikisht dhe taktikisht dhe sot kemi këtë rezultat.
Përveç këtyre arsyeve që ju parashtroni, riorganizimi i PD-së presupozohej të kishte një peshë pozitive në këto zgjedhje dhe në rezultatin e tyre. Në të vërtetë ka rezultuar e kundërta. Prurjet e reja në PD nuk kanë dhënë asnjë rezultat për të mos thënë se i bashkohen arsyeve të tjera të humbjes së kësaj partie…?
Riorganizimi i një partie nuk është çështje numrash, por çështje e kapilarizimit të saj në bazë e terren, në fund të fundit e rëndësishme është mënyra dhe network-u me të cilin partia funksionon e zbret në bazë. Nëse flasim për numra sot ne kemi një Këshill Kombëtar me 250 persona (që s’ka qenë kurrë më parë), kemi një kryesi shumë më të madhe në numra (se në 25 vjet), kemi funksionarë në PD me lloj-lloj emërtimesh, pra kemi numra. Proces i riorganizimit dha numra në qendër (Tiranë) po nuk dha rezultat në bazë, pra nuk dha vota, sepse mungoi kapilarizimi a network-u quajeni si të doni. Ne “harrojmë” që vota merret, ruhet e forcohet pikërisht prej këtyre kapilarëve dhe nuk është çështje emërtimesh apo e njerëzve që merren diku, katapultohen në oborrin e selisë e në disa raste pa pasur asnjë lidhje natyrale me PD-në. Nëse zgjedh pragmatizmin për njerëzit që mbledh në oborrin e selive të partisë, ata janë duke bërë llogaritë e tyre e jo të partisë, rrjedhimisht në këtë rast mungon frymëzimi, mungon energjia pozitive me të cilën ndizen motorët e fushatës e me të cilën shkohet përpara.
Sa qëndron arsyetimi, sipas të cilit, ndoshta të rinjtë e strukturave të PD-së nuk patën kohën e duhur të jenë funksional brenda partisë, nuk u maturuan sa duhet politikisht. Ju mendoni se është kjo një arsye apo kemi të bëjë më një zgjedhje të gabuar të kryetarit të kësaj partie?
Nuk është problemi i të rinjve, ata bënë aq sa mund të bënin e për këtë duhen falënderuar. Problemi është tjetërkund dhe është te fryma e bashkëpunimit, e ndërthurjes së brezave në parti. Kjo për shkak se partia, po e përsëris, nuk është sa njerëz mbledh rreth teje, por sa frymë e sinergji krijon dhe më e rëndësishmja, eksperienca është mësuesi më i vyer, nëse ti e refuzon a mënjanon atë, merr kosto elektorale, trishtim pa fund për çdo demokrat të vërtetë, por besoj dhe për çdo shqiptar të mençur që do demokracinë.
Pse mungoi kjo frymë?
Në gjykimin tim, udhëzimi (në kohën kur u bë riorganizimi) i PD-së në qendër ndofta nuk ishte i duhuri, shto dhe faktin që shpesh inatet e hakmarrjet lokale shtojnë dozën e tyre dhe ajo që ndodh është që mënjanohen drejtues fushatash që kanë drejtuar 4-5 herë me sukses seksionin e tyre, meqenëse udhëzimi hiqte ata që kishin humbur (dhe me 1 votë) në 2013. Të tilla eksperimente mund të bëhen në shkollë, por jo në parti, sepse e përsëris partia është kapilar, ti mund të krijosh degëzime të reja, por nuk mund t’i heqësh enën nga e cila furnizohet kapilari.
Cili ishte roli i kryetarit të PD-së në këtë proces, që dha rezultate kaq negative në këto zgjedhje?
Analiza e zgjedhjeve shpresoj të jetë objekt diskutimi dhe analize në forumet e partisë, grupin parlamentar përfshirë. Ajo çka mund të them këtu është lidershipi i PD-së ndoshta nuk krijoi sa duhet besim e shpresë te qytetarët se mund të fitonte, qoftë dhe për shumë debate e ngurrime, manovrash politike dhe jo vetëm në përcaktimin e kandidatëve, vonesat në nxjerrjen e emrave (p.sh., Dako dihej prej muajsh që do ishte kandidat dhe i shërbente prej 4 vitesh kandidimit të tij, bashkë me strukturat e PS-së në Durrës, ndërkohë Dumën e sollën 55 ditë para), për më tepër këtë herë kandidatët nuk morën as miratimin e kryesisë dhe në një fare mënyre u duk sikur z. Basha mori personalisht përsipër gjithçka. Mos harrojmë që ka vetëm dy vite në krye të kësaj partie dhe ndoshta është shumë shpejt për ta cilësuar rezultatin e 21 qershorit si një test për të.
Flasim për Durrësin. Zonja Grida Duma u përzgjodh nga Tirana për të përfaqësuar Durrësin në garën përballë kandidatit problematik të së majtës Vangjush Dako. A ishte Grida Duma zgjedhja e duhur e PD-së?
Pavarësisht kandidimit surprizë të znj. Duma, e cila duhet thënë që bëri një fushatë të mirë dhe për të cilën kam konsideratë, rezultati i Durrësit është shumë më kompleks dhe i mbetem të gjithë argumenteve të pyetjes më lart, shto dhe faktin shumë të rëndësishëm që Dako bëri jo fushatë, por betejë elektorale, përdori “gjithçka” (të ligjshme e të paligjshme) për fitoren e tij.
A pati një proces diskutimi në bazën e Partisë Demokratike në Durrës për përzgjedhjen e kandidaturës, pra a u pyet elektorati i PD Durrës për këtë kandidaturë?
Në statutin e PD-së dhe në udhëzimin e saj për zgjedhjet lokale, dega e partisë bën vetëm propozimet, përzgjedhja bëhet “si rregull” nga kryesia me propozim të kryetarit.
Një humbje të thellë PD e ka pësuar edhe në Tiranë, por edhe në qytete të tjera përveç Shkodrës… a ishte njëjta problematikë si në Durrës? Ndërkohë, në disa qytete PD ka fituar çuditshëm, si p.sh. në Përmet apo Pogradec. A do të thotë kjo se elektorati në Shqipëri ka kontestime të forta për mazhorancën dhe qeverinë, por opozita nuk është gati t’i mbledhë votat e tyre, pra nuk është ende alternativë e besueshme për shqiptarët?
Në fushatë takon shumë njerëz, qëndron e bisedon me ta, kupton hallet e tyre e filozofinë e tyre të jetës, po këtë herë një gjë dukej që i bashkonte, trishtimi që ky vend nuk bëhet. Shumë të rinj duan të largohen e të provojnë emigracionin, shumë prindër duan të largojnë fëmijët se nuk shohin një të ardhme normale për ta, rrugët për një jetë normale, punë normale, qytet normal e vend normal duket se ngushtohen çdo ditë e më shumë. Rama-Meta nuk e rilindën këtë vend dhe këtë tashmë e beson dhe vetë Rama. Qeverisja e tyre bëhet çdo ditë e më mysybet, ekonomia shkon për poshtë punësimi mbetet ëndërr dhe në një situatë të tillë (përtej gjithë blerjes) ky pushtet nuk u godit me votë dhe kjo është një shkreptimë në qiell të pastër për PD-në, është një ulërimë pse ne nuk mundëm të frymëzonim shqiptarët, pse ne nuk po arrijmë të japim besim dhe për të gjitha PSE-të përgjigjen e kemi mes nesh. PD-ja s’ka qenë kurrë çështje numrash mes saj, po ka qenë çështje frymëzimi, bashkimi e konsekuence, pa të cilat nuk bën dot përpara. PD-ja mblodhi gjithë energjinë e ndjesinë për liri e demokraci të shqiptarëve në 50 vitet e regjimit komunist, ajo është pasuri e vyer e shpirtit për liri të shqiptarëve, ajo nuk mund të jetë as pre e pragmatizmit, as pre e pazareve të pushtetit, këtë kush nuk e kupton apo s’do ta kuptojë nuk do as PD dhe as shqiptarët.
Marrë nga portali “lajmepolitike.com”