Angli, 20 qershor 2014 – Anglezët po përjetojnë sërish zhgënjim të thellë, kur të gjithë shpresonin se nën drejtimin e Hodgson, kjo gjeneratë lojtarësh të rinj e të talentuar do të bënte surprizën në këtë Botëror. Menjëherë pas disfatës së dytë kundër Uruguait, në rrjetet sociale ka plasur tallja, ironia e sarkazma…quajeni si të doni. Gjithsesi duhet thënë se nervozizmi i tifozëve anglezë deri në këto momente duket mjaft i përmbajtur. Kështu, në Angli ka nisur të bëjë xhiro një foto, ku mes turmës së tifozëve uruguaianë dallon një skoceze me flamurin e vendit të saj. Si për ironi, tifozja skoceze nuk bën tifo për Anglinë fqinje, por feston bashkë me mbështetësit e La Celeste.

Një tjetër foto hit në Twitter është kopertina e revistës “Private Eye”. Këtu humori qëndron te fjalët e pilotit në adresë të lojtarëve anglezë kur zbarkuan në Brazil, kur i pyet nëse duhet t’i mbajë ndezur motorët për një rikthim të shpejt në shtëpi. Nuk ka qëndruar larg thumbimeve edhe komediani britanik Simon Brodkin.

Në Twitter, ku prezantohet me emrin e karakterit Jason Bent, ai shkruan se prej vitesh kishte pritur që Anglia të luante si Spanja dhe ja doli më në fund. Dikush tjetër, me largimin e parakohshëm ironizon, kur pyet se cila është diferenca mes një bustine çaji dhe kombëtares angleze dhe përgjigja është se bustina e çajit qëndron më gjatë në filxhan sesa Anglia në Botëror. Të tjerë pastaj vazhdojnë të kenë mllef ndaj Rooney, edhe pse ylli i United arriti të prishë mallkimin e Botëroreve, me golin e tij të parë, ndërsa me sarkazëm nuk mungojnë thirrjet që në skuadër të rikthehet David Beckham, i dalë në pension që 5 vjet më parë.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/