Nga Mila Ballhysa
Ajo që ishte parandjerë gjatë fushatës elektorale të PD-së në Durrës ndodhi. PD po humbet dukshëm, ndërsa PS duket se ka grumbulluar dyfishin e votave që kanë mbledhur të djathtët (ende rezultate paraprake, pasi numërimi nuk ka përfunduar). Edhe LSI ka rritje, madje për herë të parë mund të rrëmbejë mandatin e dytë në Durrës, pasi deri tani është përfaqësuar në dy legjislatura parlamentare vetëm nga mandati i Lefter Kokës.
Po çfarë ka ndodhur në Durrës, i konsideruar shpesh qytet me bindje të djathta, por që në 2013 dhe 2017, peshorja e votave ka nisur të anojë dukshëm nga e majta, për të mos përmendur 3 mandatet rradhazi të kryebashkiakut Dako, me një diferencë gjithnjë e më të madhe votash kundrejt rivalëve të propozuar nga PD?
Pikë së pari, problematikat që prej disa vitesh po shoqërojnë degën lokale të PD-së, ndasitë dhe mosmarrëveshjet mes grupeve dominuese kanë minuar nga brenda besimin e anëtarësisë së thjeshtë, motivimin e strukturave dhe bazës për të maksimalizuar votën, për të nxitur këdo demokrat që të shkojë të votojë dhe të mbrojë kauzën dhe programin e partisë së tij me votë.
Ndërsa PS durrsake, e drejtuar suksesshëm me dorë të fortë nga kryebashkiaku Dako, ka ditur jo vetëm të ruajë votat e saj, por edhe t’i shtojë ato vit pas viti, apo mandat pas mandati, PD durrsake ka parë, sidomos gjatë 4-vjeçarit të fundit, kur ajo drejtohet nga kryetari Basha, t’i firojnë votat e mbështetësve apo simpatizantëve.
Durrësi nisi të cedojë pak majtas që në zgjedhjet e 2011, kur Dako fitoi mandatin e dytë. Përballë Dakos, i cili që në mandatin e parë nisi të etiketohej Dako=Beton, u vu Ferdinand Xhaferraj, një figurë e njohur në Durrës, por që nuk gëzonte ndonjë reputacion të madh mes demokratëve. Madje më të guximshmit deklaruan që para ditës së zgjedhjeve se dukej sikur Xhaferraj ishte zgjedhur si për t’ia “falur” Durrësin edhe për një mandat të dytë socialistëve. I hyrë në histori tashmë me deklaratën e tij të famshme “Do përmirësoj cilësinë e diellit”, Xhaferraj humbi me një diferencë prej 3584 votash ndaj Dakos, që pak kush mendonte në fillimet e tij në politikë, se do të dinte të thurte aq bukur rrjetën e klientelizmit dhe ta ndërthurte atë me tërheqjen pranë vetes të njerëzve me reputacion në zonat periferike, duke garantuar kështu votën e një numri të madh njerëzish, që kishin votuar tradicionalisht dhe me zemër PD-në, edhe pse në disa raste nuk kishin fituar apo kishin fituar shumë pak prej saj.
Në një kohë, kur politika nuk është më ideal, motivim, shpresë, por interes i ngushtë personal, i rrethit shoqëror dhe klientelës, Dako më mirë se kushdo tjetër në Durrës diti të mbledhë pas vetes mbështetjen nga lagjet periferike të Durrësit dhe zonat periferike të rrethit, të cilat më vonë i përktheu në votë për të dhe për Partinë Socialiste.
E ndërsa Dako fuqizohej, PD në Durrës rrudhej gjithnjë e më shumë. Ish-kryetari Igli Cara, që gëzonte një mbështetje të madhe në rradhët e PD-së dhe qytetarisë durrsake, u largua për t’i lënë vendin kryetarit të zgjedhur me votën e anëtarësisë, Osman Stafa. Por që nga dita e zgjedhjes së tij, Stafa u përball me një mjedis të ftohtë karshi tij, jo nga rivalët politikë, por nga brenda PD-së. Stafa që nuk ishte durrsak denbabaden, shihej shtrembër nga ata që dukej se përfaqësonin vlerat e vërteta durrsake, por që nga ana tjetër nuk kuptuan se me minimin e veprimtarisë së Stafës po dëmtonin rëndë partinë ku militonin prej vitesh, e nga e cila synonin të merrnin ndonjë hise pushteti.
Në kohën kur Stafa nuk gjente mbështetje nga të vetët, po afrohej fushata e zgjedhjeve vendore të vitit 2015. Berisha, me eksperiencën e gjatë në pushtet, kishte kuptuar se me Durrësin nuk mund të luante, dhe nëse nuk respektonte dëshirat e bazës dhe strukturave ndëshkohej me votë. Për këtë, ai tregohej deri diku i kujdesshëm me kandidaturat që propozonte. Ndërsa Basha, ose nuk u këshillua më parë nga mentori i tij politik, ose mendoi se një figurë e freskët nga PD-ja do të nxirrte në pension Dakon e konsumuar nga mandati i dytë.
E kështu, në vitin 2015, pavarësisht mendimit ndryshe të demokratëve durrsakë, u katapultua si kandidate Grida Duma. E afruar pranë PD-së nga Berisha, i cili ishte po ai që bëri që të ndrinte që në fillim ylli i Gridës në politikë, Duma u mendua se ishte kandidaturë e duhur; kishte lindur në Durrës, akademike e elokuente përballë Dakos babaxhan, e nga ana tjetër ishte dhe e bukur, një karakteristikë kjo që ndoshta nuk është nga pikat e forta në politikë, por që vitet e fundit ka nisur të tregojë se edhe në vendet me demokraci shumë të konsoliduar një fytyrë e kuruar dhe tërheqëse bën për vete njezërit, që më shumë tërhiqen nga shfaqja sesa nga përmbajtja.
Elegante në pamje e veshje, por pa takat e papërshtatshme për takime në terren, Duma zbarkoi në Durrës e shoqëruar nga enturazhi i saj nga Tirana, duke krijuar edhe më shumë ndarje mes grupeve dominuese deri në atë kohë në PD-në durrsake. Nuk mund të motivonte njerëzit me peshë, mbështetës të PD-së, në qytetin ku po kandidonte me sjelljen e disa figurave nga Tirana duke i lënë në hije ata që do të bënin punën e vërtetë në terren, e që në fund të procesit do të përktheheshin në vota për PD-në.
Sesi u mund Duma në Durrës të gjithë e dimë, por në fund të fundit humbja e saj nuk penalizonte Dumën, pasi karriera e saj në PD vijon suksesshëm, 2 vjet më pas ajo kandidon në një vend të sigurt në listën e Tiranës, duke siguruar për herë të parë mandatin e deputetes në legjislaturën 2017-2021.
Ata që vërtet do të ndjenin peshën e humbjes së saj ishin demokratët durrsakë. I pari që u bë kokë turku ishte kryetari Osman Stafa, të cilit iu faturua humbja. Dega mbeti pa kryetar, Basha komandoi Oerd Bylykbashin dhe PD-ja e Durrësit mbeti e mefshtë, pa reagim, pa forcë, ndërkohë që rivalët Dako e Koka nisën betejën për rrëmbimin e sa më shumë mbështetësve, edhe nga rradhët e PD-së.
Dako e kishte kuptuar që herët se për të bërë të vetin Durrësin, për të maksimalizuar votat e PS-së, i duhej periferia. Plazhi, Shkozeti, Rrashbulli, Katundi i ri, Ishmi etj. zona me influencë të theksuar të PD, tashmë janë kthyer në mënyrë të ndjeshme në elektorat mavi.
Kjo nuk ndodhi brenda ditës, por u deshën vite. Nëse Dako deri tani është identifikuar me betonin, duhet t’i njohim një meritë. Më mirë se kushdo tjetër diti ta njohë këtë qytet, madje ta dominojë atë. Me grupet e interesit dhe “të fortët”, me investime në kohë fushate dhe investime klienteliste apo me të qënit babaxhan (larg pompozitetit të shumë prej Rilindasve), kjo pak rëndësi ka. Në fund të procesit, ajo që ka rëndësi është kush sjell në shtëpi fitoren. Dhe Dako e përmbushi më së miri detyrën e tij dhe premtimin dhënë kryeministrit Rama.
Nga ana tjetër, Lefter Koka me strukturat e tij punoi fort për të rritur edhe më influencën e LSI-së në Durrës, madje në kurriz të PD-së. Nëse për të marrë një votë nga PS dukej një mision i pamundur për Kokën dhe LSI, votat e elektoratit të lëkundur të PD-së apo vota e të pakënaqurve ishin ku e ku më të lehta për t’u siguruar. Dhe në këtë mision duket se ia doli. LSI po shkon drejt mandatit të dytë historik.
PD është humbësja e madhe, madje ishte një humbje e paralajmëruar. Mefshtësia e drejtuesve të PD-së dhe pazëshmëria e tyre në këto vite opozitë për të ngritur zërin për problemet madhore të qytetit bregdetar dhe keqqeverisjes së administratës Dako, sigurisht që do të kishte ndëshkim me votë. Ironia e fatit është se të gjithë deputetët e Durrësit (përjashto këtu Igli Carën që nuk u përfshi në lista), janë të gjithë fitues në listat e qarqeve ku vendosi t’i kandidonte Basha dhe do të jenë sërish në parlamentin e ardhshëm. Gjendja e PD-së durrsake është deri diku pasojë edhe e indiferencës së tyre, që nxituan të vinin në Durrës për të rrëmbyer një mandat deputeti, e më pas i “lanë” duart me qytetin që u dha votën dhe i konsideroi përfaqësues të tij në organin më të lartë vendimmarrës.
Ata që do të mbeten sërish të pashpresë janë demokratët e vërtetë durrsakë, që për 4 vite të tjera do të jenë sërish në opozitë, këtë herë më të pamotivuar se kurrë dhe me një besim gjithnjë e më të pakët tek partia që kanë mbështetur në këto vite të gjata tranzicioni, në ditë të mira e të këqia.
Mitingun përmbyllës të fushatës, PD në Durrës zgjodhi ta bënte në amfiteatrin e qytetit, në skenën kur mijëra vite më parë gladiatorët përlesheshin për jetë a vdekje dhe humbësit prisnin ngritjen ose jo të gishtit të madh të dorës të sundimtarit të qytetit për të kuptuar nëse pas betejës do ju falej jeta apo do të vdisnin nga shpata e kundërshtarit.
Britmat e mekura të mbështetësve që ishin mbledhur në atë takim të 23 qershorit, duhet t’i kenë përcjellë Bashës (qoftë edhe në mënyrë të pandërgjegjshme) se vullneti i sovranit popull njihte që më parë humbjen e tij.
M.P.





