I ftuar në emisionin “S’e Luan Topi”, artisti i mirënjohur, Sidrit Bejleri, ka rrëfyer udhën e jetës së tij, teksa u ndal në një rrëfim prekës për humbjen e së bijës, Sofisë.
“Të them të drejtën, në vitet që ne filluam të kuptonim, kanë qenë vitet ’90, nuk kisha ndonjë qasje ndaj besimit. Natyra ime pak ‘anti’ në çdo gjë, doja të isha nga krahu tjetër. Unë nuk kisha qasje në besim. Por pastaj duke qenë natyrë hulumtuese, fillova duke menduar, që disa gjëra që shkenca i quan rastësi… Lexova që dielli po të ishte më afër nuk do të kishte jetë sepse do të ishte shumë nxehtë, rastësi. Dielli po të ishte pak më larg, sërish nuk do të kishte jetë sepse do të ishte shumë ftohtë, rastësi edhe kjo. U bënë shumë rastësi dhe drejtova gishtin nga vetja dhe thashë: ‘Mos je ti budallai në këtë mes?’. Ishte e pamundur që gjithë këto miliona rastësi të jetonin në trupin e njeriut. Fillova lexoja më seriozisht dhe besova se ka një Krijues.
Në periudhën e Sofisë, unë isha vënë në dijeni për gjërat që i kishte ndodhur njerëzve të tjerë. Kisha thënë si do reagoja unë. Kisha menduar që do shkoja ku rri ajo, nuk do haja, nuk do pija dhe vetëm do rrija aty. ndërkohë reagova komplet ndryshe. Unë edhe Meri, disa të tjerë që kanë kaluar sprova të tjera në jetë, na kanë thënë për mënyrën se si kemi reaguar. Zoti na e dha atë forcë.
Njeriu në një moment të duket sikur nuk del nga ajo vorbulla, por ndodhin disa gjëra që ta heqin atë mjegull. Sofia ishte mundësia për t’i dhënë kuptim jetës. Zoti kurrë nuk e merr një dhuratë që e kishte dhënë më përpara. Dhe në fund, dhuratën që na dha e mori prapë për vete, Ai me urtësinë e tij. Ja ku jemi prapë 5, kujtojmë atë, Zoti na bashkoftë me të në xhenet.
Në atë periudhë kuptova që kisha shumë miq e shokë. Si mund t’i kujtosh ditët e hallit me nostalgji? I kujtoj me nostalgji sepse ishin aty përditë. Disa mbaronin punën në Shkodër dhe vinin të më takonin pasdite ose në darkë për të më dhënë zemër e forcë. Për të ndarë dhimbjen dhe hallin bashkë me ta”, u shpreh artisti.