Trajneri i Teutës, Edi Martini, ka kritikuar lojtarët e tij që u futën në pjesën e dytë si zëvendësues, pasi mendon se ata nuk bënë diferencën siç pritej përballë Partizanit. “Jam i zhgënjyer me rezultatin e jo lojën. Kemi pasur raste të pastra për të shënuar në pjesën e parë, humbëm penallti e Partizani nuk na gjuajti asnjëherë në portë. Përtej 10 minutave të fundit që na vuri në presion, nuk jam i kënaqur me ata që hynë në fushë në pjesën e dytë. Kur pritnim të mbanim topin, ramë në lojë, Kjo është e pafalshme. Futbolli luhet jo vetëm me titullarë, por edhe ata që hyjnë, jam i zhgënjyer prej tyre.
Penallti ajo vetëm do e ndryshonte, por do të fitonim ndeshjen. Futbolli është i paparashikueshëm por mënyra se si luajtëm pjesën e parë, i patëm shanset tona. Jam i kënaqur nga shpirti i garës, por ajo që duhet tani janë pikët dhe këto djegin më tepër. Futbolli është edhe çështje fati, normalisht penalltia e goli më lënë shije të hidhur e nuk mendoja që do të ndodhte kjo gjë, edhe pse Partizani rriti presionin në fund. Ne nuk ndërruam gjë taktikisht, luajtëm në të njëjtën mënyrë. Me futjen e Peposhit në lojë, kërkonim të dilnim më para. Ndërrimet nuk funksionuan, bëmë shumë pasime gabim, nuk kishim mbajtjen e topit. Më dhemb, por të ecim përpara, se vjen ndeshja tjetër të mërkurën.
Duhet ta kuptojë gjithsecili, janë të rinj, me pretendimet që kanë për formacionin nëse jam dakord unë. Janë lojtarë që me modul tjetër mund të jenë në formacion apo tjetër në stol. Nuk e di a janë pakënaqësi apo jo. Por ata që u futën nuk kanë përgjegjësinë e duhur për të kuptuar se po luajnë me Teutën e përgjegjësinë që duhet në çdo moment. Nuk me del inati me ndërrimet që bëmë, nuk patëm freski. Kjo më vjen të plas më shumë se të tjerat. Nuk kemi asnjë ditë qetësi, edhe të fitonim nuk do të ishim më të qetë. Në këto momente duhen pikët, loja nuk tregon asgjë. Luaj sa të duash në fund ke humbur ndeshjen e nuk merr asgjë. Por ajo që më bën të jem optimist pas kësaj ndeshje, është që të mërkurën do të luajmë të vendosur , siç hymë në fushë ndaj Partizanit me qëllimin për të fituar”, tha Martini.