· Ushtria pasi konstatoi shkeljet vuri nën vëzhgim tetarin Adem Hasani, magazinier në këto grup-depo, si dhe kontaktuan me Prokurorinë e Policinë e rrethit Krujë, duke kërkuar ndalimin e tij në flagrancë. Përballë mosreagimit nga prokuroria e Krujës, për shkeljet e konstatuara dhe informacionet që disponoheshin për largim të mundshëm nga vendi të këtij shtetasi, komanda u detyrua të ndalojë tetarin në policinë ushtarake në 4 nëntor 2014
DURRËS, 8 nëntor 2014 – Prokuroria e Krujës nuk e ka vënë ujin në zjarr pas denoncimit të ushtrisë për humbjen e 1 200 “llokumeve” me tritol dhe vetëm pas ndalimit nga policia “e gjelbër” të magazinierit të grup-depove të Nojës, akuza e Krujës ka nxituar të marrë meritat, por dikasteri i znj. Kodheli e damkos dhe ia di për nder kryeprokurorit të Republikës z. Llalla.
Në një deklaratë për shtyp, më 8 nëntor 2014, dikasteri i ushtrisë thotë:
“Ministria e Mbrojtjes përshëndet angazhimin personal të prokurorit të Përgjithshëm z. Adriatik Llalla, lidhur me denoncimin e bërë nga ana jonë për mungesën e krijuar në vite, të lëndëve plasëse në depot pranë fshatit Nuaj / Nojë të Krujës.
Pas miratimit të strukturës së re nga presidenti i Republikës, ndër të tjera, bazuar në një urdhër të ministres së Mbrojtjes, në tetor 2014 filloi procesi i inventarizimit të plotë e të detajuar në të gjithë vendin. Ministrja kërkoi që kjo procedurë të bëhet në të njëjtën kohë në të gjithë vendin me prezencën e anëtarëve të komisionit, të komandave, Ministrisë dhe Shtabit të Përgjithshëm, proces, i cili është ende në vazhdim.
Në muajin tetor gjatë punës për inventarizimin, në grup-depot e Bigadës së Mbështetjes në fshatin Nuaj / Nojë të rrethit të Krujës, u konstatua se mungonte një sasi e konsiderueshme lëndësh plasëse.
Strukturat e Forcave të Aramatosura pasi konstatuan shkeljet vunë nën vëzhgim tetarin Adem Hasani, magazinier në këto grup-depo, si dhe kontaktuan me Prokurorinë e Policinë e rrethit Krujë, duke kërkuar ndalimin e tij në flagrancë.
Përballë mosreagimit nga prokuroria e Krujës, për shkeljet e konstatuara dhe informacionet që disponoheshin për largim të mundshëm nga vendi të këtij shtetasi, në bazë të ligjit të disiplinës ushtarake, komanda u detyrua të bëjë ndalimin e tetarit Hasani në policinë ushtarake në 4 nëntor 2014.
Në këto kushte, Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, është detyruar të kontaktojë personalisht me prokurorin e Përgjithshëm z. Adriatik Llalla, i cili ka vënë në lëvizje Prokurorinë e rrethit Krujë.
Ministrja e Mbrojtjes e falënderon z. Llalla për disponibilitetin e menjëhershëm të tij, dhe mbetet shpresëplotë se po me të njëjtën mënyrë do të veprojë edhe për dosjet e tjera të depozituara nga kjo Ministri në organin që ai drejton”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





