Pas humbjes 1-0 ndaj Flamurtarit në Vlorë, trajneri i Teutës Gugash Magani, u shpreh se skuadra e tij edhe mund ta kishte fituar ndeshjen, por disa gabime në ruajtjen e balancave në fushë çuan në golin e kundërshtarit.

“Sot skuadra nuk ka qenë si në ndeshjet e tjera. Në momente të veçanta patën edhe humbje në ekuilibra dhe u ndëshkuam me një kundërsulm. Ajo që na motivon më shumë është se skuadra lufton dhe beson për më shumë”, deklaroi Magani. Sipas tij, skuadra duhet të mësojë nga gabimet që u bënë dhe në ndeshjen e ardhshme të përqendrohet në marrjen e një rezultati pozitiv.

Duke folur për lojën e skuadrës, tekniku i durrsakëve tha se ekipi i tij nuk bëri një lojë të mbyllur në mbrojtje. “Për sa i përket lojës, mendoj se u bë me zbritje dhe kundër zbritje nga të dyja skuadrat. Ne nuk vendosëm autobusin para dhe u mbrojtëm gjatë gjithë kohës.”, tha ai. Magani foli edhe për gabimet, duke u ndalur te mosfunksionimi i duhur në mesfushë. “Me pjesën e mesit të fushës nuk jam shumë i kënaqur sepse nuk patëm një qarkullim të mirë të topit. Skuadra humbiste shumë shpejt topin”, tha trajneri Magani.

Teuta humbi një ndeshje, por jo besimin për të luftuar për një klasifikim në pjesën e lartë të renditjes. Gugash Magani përtej kritikave për momente të veçanta të lojës, vlerëson sjelljen e futbollistëve të tij, që luftuan deri në fund për të barazuar shifrat. “Skuadra nuk ka qenë si të gjithë ndeshjet e tjera. Nuk i vlerësuam shanset që kemi dhe ne disa momente humbëm ekuilibrin. U ndëshkuam me kundërsulm. Skuadra gjithsesi lufton dhe beson deri në fund, por futbolli kështu e ka. Do të punojmë për ndeshjen e radhës, por kjo s’do të thotë se nuk do të pretendojmë si të gjitha skuadrat e tjera. Edhe ne kemi bërë merkato por s’i kishim në dispozicion përforcimet. Janë edhe 17 javë deri në fund”.