Tiranë, 21 nëntor 2013  – Politika është tronditur nga humbja tragjike e deputetit Sokol Olldashi, si pasojë e një aksidenti në aksin rrugor Tiranë- Elbasan. Kolegë dhe miq të deputetit janë shprehur të pikëllyer për humbjen e Olldashit, ndërsa kanë ngushëlluar familjarët për humbjen e madhe.

Igli Cara: Kol do na mungosh, ne shokeve e miqve te tu, demokrateve dhe gjithe shqiptareve.Zoti kete rradhe mori me te mirin. E lehte rruga vellai im!

Oerd Bylykbashi: Do të të kujtoj ashtu si në ditën e parë kur u njohëm në gjimnaz në 1988. Do të të kujtoj si nxënës i shkëlqyer, inteligjent, i shkathët, poet i talentuar dhe me kitarën tënde në dorë. Të mbaj mend në qindra momente të tjera në këto 25 vite miqësi e punë. Mbi të gjitha, do të të kujtoj atë ditë të ftohtë të shkurtit 1991, në palestrën e gjimnazit “Naim Frashëri”, kur mes nxënësve që protestonim dhe solidarizoheshim me grevën e urisë së studentëve, ti u ngjite mbi kokat tona mbi një shkallë druri të mbështetur në mur. Në atë moment ti u bëre lider i të gjithë neve. Ai do jetë imazhi që do ruaj përgjithmonë për ty, mik i vjetër! U prehsh në paqe Koli!

Lulzim Basha: Koli do mbetesh perjete mes nesh 

Presidenti i Republikës Bujar Nishani- Në këto çaste të rënda, kur përjetojmë me hidhërim të thellë humbjen e papritur të personalitetit të jetës shqiptare, deputetit Sokol Olldashi, shpreh ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta familjes së tij. Do ta kujtojmë Sokol Olldashin për kontributin e tij të gjithanshëm në jetën politike e publike në vend, për përpjekjen e tij të palodhur për demokracinë. Do e sjellim ndër mend Sokol Olldashin si një zë të fortë, këmbëngulës në kryerjen e detyrave që i qenë ngarkuar që në fillimet e karrierës së tij si gazetar dhe më vonë si politikan. Familja e tij të jetë e sigurt se do ta ndjejë përherë ngrohtësinë jo vetëm të atyre që e kanë njohur nga afër, gjurma e jetës së tij nuk do të shuhet kurrë dhe në këtë bindje le të gjejë forcën për ta përballuar këtë humbje kaq të rëndë. I paharruar qoftë kujtimi i Tij!” 

Edi Rama: “U prehtë në paqe s’kam pasur rastin ta takoj asnjëherë dhe pse dy herë e kam pasur përballë, drejtpërdrejt si kundërshtar. Një herë si hetues parlamentar dhe një herë si kandidat për Tiranën. Në distancë e çmoja shumë qysh në krye të herës hazërxhevapin prej mistreci brilant. Akull dhe shpuzë. Ndër të paktat debate televizive që ndiqja me dëshirë qenë ato kur në anën tjetër përballë të mive, ishte Sokol Olldashi. Në një ditë si kjo është zakon të thuhen me tepri fjalë të mira, por unë kam veç këto pak fjalë të ndjera në respekt të kujtimit të tij siç e kam. Ashtu siç kam brenda meje qysh mbrëmë, një keqardhje therëse për ikjen e tij kaq tragjikisht nga jeta dhe nga skena e luftës politike – ku mesa duket la një boshllëk të rëndësishëm për aq shumë njerëz sa u vunë sot në radhë, pa dallim, për t’i thënë me dhimbje sinqerisht lamtumirë”, shkruan Rama në Facebook. 

Fatos Nano: Me hidhërim të thellë morra vesh lajmin tronditës të ndarjes nga jeta të deputetit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të afërmit, miqtë, dhe kolegët. U prehsh në paqe.

Atifete Jahjaga: Me dhimbje e morëm lajmin për vdekjen tragjike në një aksident trafiku, të deputetit të Kuvendit Republikës së Shqipërisë, zotëri Sokol Olldashi. Është kjo një humbje e madhe për të gjithë ne, pasi mbetëm pa njeriun e përkushtuar për përparimin e Shqipërisë, njeriun e angazhuar në të gjitha proceset demokratike, në zhvillimin e kulturës së parlamentarizmit, në ndërtimin dhe në zhvillimin e vendit.Pranoni ngushëllimet tona të sinqerta në emrin tim dhe në emër të popullit të Kosovës, duke mbetur në kujtimin më fisnik, për veprën, angazhimin dhe përkushtimin e zotëri Sokol Olldashit që Shqipëria të jetë një vend evropian i përparuar dhe demokratik”, ndërkaq në atë dërguar familjes së të ndjerit, presidentja Jahjaga thekson “hidhërimin me të cilën ka marrë lajmin për vdekjen tragjike të bashkëshortit, të prindit, të birit tuaj, njeriut të respektuar, zotëriut Sokol Olldashi. Jeta dhe vepra e tij mbeten një krenari për Ju dhe një përkushtim për ne për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.Ju lutem, në emrin tim dhe në emër të popullit të Kosovës, pranoni ngushëllimet tona më të thella në këtë dhimbje për më të dashurin Tuaj, duke gjetur ngushëllim në kujtimin e përhershëm për personalitetin, për veprën dhe për angazhimin e vazhdueshëm të Sokol Olldashit që Shqipëria dhe kombi të jenë të përparuar dhe të zhvilluar në rrugën tonë evropiane.

Filloreta Kodra: Ngushëllime nënës, bashkëshortes dhe fëmijëve. Ngushëllime për humbjen e pazëvendësueshme.

Armida Qylafku: Miku im i dashur, nuk e besoj që ti nuk je më mes nesh. U prefsh në paqe!

Eglantina Gjermeni: E tronditur nga largimi i parakohshëm nga jeta i kolegut Sokol Olldashi. Ngushëllime të sinqerta familjarëve për këtë humbje të rëndë. U prefsh në paqe Sokol! 
Aleksandër Arvizu: Kam qenë me fat që e kam njohur Olldashin. Do ta kujtoj gjithnjë si dikë që e donte shumë Shqipërinë.Kam qenë me fat që pata munedsinë ta njihja gjatë kohës time në Shqipëri, dhe do ta kujtoj gjithnjë si dikë që e donte shumë Shqiperinë dhe dëshironte që ta bënte vendin e tij një vend me të mirë për të gjithë Kur e takova për drekë disa javë më parë, me tregoi sa shumë e shijonte mundësinë për të kaluar më shumë kohë me familjen e tij më tregoi për planet që kishte për të vizituar SHBA-në Në pranverë dhe unë i thashë se do e prisja me kënaqësi takimin me të në anën tjetër të Atlantikut. Mendimet dhe lutjet e mia më të ndjera dhe të kolegeve të mi të Ambasadës Amerikane janë me familjen, miqtë dhe mbështetësit e tij në këtë ditë të vështirë.
 Ettore Sequi: Do doja t'i shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera. Mendimet e kolegëve tanë janë me familjen e tij. Mendimet e kolegëve tanë janë me miqtë e tij.
 Hashim Thaçi: Me dhembje të thellë morëm lajmin për humbjen e jetës në një aksident, të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Sokol Olldashi. Vdekja e deputetit Olldashi, është humbje jo vetëm për familjen, por edhe për institucionet e Shqipërisë, ku ai si deputet dhe si ministër dha kontribut në të gjitha proceset demokratike në Shqipëri. Olldashi do të mbetet përherë në kujtesën e qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, si njeri dhe politikan i çmuar, që kontribuoi në thellimin e bashkëpunimit institucional mes Shqipërisë dhe Kosovës. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim ju lutem pranoni ngushëllimet e thella.
Asllan Dogjani: Ngushëllimet më të sinqerta familjes së mikut tonë Sokol Olldashi! U prehtë në paqe 

Isa Mustafa: Partia Demokratike e Shqipërisë humbi një veprimtar të madh të demokracisë së re shqiptare kurse shteti shqiptar një anëtar të spikatur të legjislacionit. Vdekja tragjike e Sokol Olldashit është një humbje e cila kapërcen kufijt e shtetit shqiptar. Ishte njeri me dije dhe kulturë evropiane, njeri që komunikonte me gjuhën dhe logjikën evropiane, prandaj të gjithë ne do ta ndjejmë mungesën e njeriut tone-shkruan Isa Mustafa ne mesazhin e tij ngushellues. I shpreh ngushllimet e mia më të thella familjes Olldashi për humbjen e më të dashurit të saj, kryetarit të PD z. Lulzim Basha dhe Parlamentit Shqiptar për humbjen e një figure të madhe të demokracisë.

Mesila Doda: Lamtumirë miku im! Ishe më i mirë se ç’duhej për këtë botë! Zoti të dhëntë paqen e tij!
Jakup Krasniqi: Vdekja e Sokol Olldashit është humbje e madhe. Humbje e madhe për familjen dhe për Kuvendin. Familja ka humbur njeriun më të dashur

Tritan Shehu: Humbëm një shok, një mik. Humbje e tmerrshme për atë dhe familjen. Humbje e tmerrshme për politikën e shoqërinë. Ngushëllimet më të thella. 
Majlinda Bregu: Lamtumirë Koli, miku im i mire. Paç paqe në atë botë më shumë se trazirat e kësaj që le.
Eduard Halimi: Lamtumirë i dashur miku im. 
Ramush Haradinaj: Në këto momente të rënda të dhimbjes e të pikëllimit, u përcjell ngushëllimet më të thella juve personalisht, ish-kryeministrit Berisha dhe të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Duke bashkëndjerë me të gjithë ju për humbjen e madhe, më lejoni t’jua përcjellë respektin e thellë për figurën dhe personalitetin e z. Olldashi, për kontributin e tij të shquar në ngritjen dhe zhvillimin e Shqipërisë, të demokracisë dhe të shtetit shqiptar në kohën e tranzicionit, e veçanërisht në dekadën e fundit, ku z. Olldashi la gjurmë dhe u shqua në të gjitha përgjegjësitë, qoftë si ministër, qoftë si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Duke qenë me juve në këto momente, ua përcjellë bindjen se do të gjeni forcën dhe kurajon për ta përballuar dhimbjen për humbjen e kolegut të mirë dhe politikanit të shquar shqiptar, z. Sokol Olldashi. 
Behgjet Pacolli: Ngushëllime të sinqerta familjes Olldashi. Vlerësoj lartë kontrubutin e deputetit Olldashi. Ndarja e parakohshme nga jeta e Olldashit është e dhimbshme.
Ali Ahmeti: Lajmin e kobshëm për humbjen e parakohshme të mikut tim dhe deputetit të kuvendit të Shqipërisë Sokol Olldashi e pranova me hidhërim të thellë, andaj në emër të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet e mija më të sinqerta për këtë humbje të madhe për të gjithë ne.
Shpëtim Idrizi: U prehtë në paqe Koli, Zoti ia lehtësoftë humbjen e dhimbjen familjes dhe miqve! 
Kastriot Islami: I dashur Koli! Sonte morëm vesh një lajm tronditës deri në fund të pabesueshëm. Një ngjarje e rëndë për familjen e të afërmit, miqtë, kolegët, të gjithë ne… Uroj të prehesh i qetë. Zoti i dhëntë forcë familjes! 
Gerti Bogdani: Një lajm i tmerrshëm dhe fatkeq, që sikurse shkreptima e natës kur vjen, prishi qetësinë e familjes, miqve, atyre që e kanë njohur apo jo!!! Një humbje jashtëzakonisht e rëndë për familjen, miqtë, shoqërinë dhe politikën shqiptare!!! Lutjet shkojnë për shpirtin e tij që të prehet në paqe dhe për familjen që Zoti t’i japë forcë në momentin më të vështirë të jetës së tyre! R.I.P. MIK! 
Shegushe Ligori: Kam biseduar me të kur ishte ministër i Transporteve për punimet në rrugën që i mori jetën! Fliste me shumë pasion për këtë investim! Madje edhe për ristrukturimin e rrugës së vjetër për ta bërë atë turistike… Ngushëllime familjes dhe të afërmve të deputetit e politikanit të karrierës, Sokol Olldashi! 
Taulant Balla: Një lajm i hidhur në këtë mbrëmje për të gjithë ndarja nga jeta e kolegut tonë, Sokol Olldashi. U prefsh në paqe, Sokol! 
Erjon Braçe: U prehtë në paqe Sokol Olldashi! 
Piro Lutaj: I trishtuar pa masë për aksidentin tragjik, i cili i mori jetën kolegut tim Sokol Olldashi, nuk gjej fjalë për të ngushëlluar familjarët e Sokolit, në mënyrë të veçantë bashkëshorten dhe 2 djemtë. U prehtë në paqe Sokoli i paharruar! 
Rudina Seseri: Ngushëllime dhe keqardhje për Sokol Olldashin dhe familjen e tij në këtë mbrëmje të vështirë. 
Andis Harasani: Refuzoj ta besoj lajmin për mikun tim, Sokol Olldashi! 
Astrit Bushati: Humbëm një mik! Ndihem keq! Pushofsh në paqe, Kol! 
Alfred Peza: E tmerrshme… E takova mikun dhe kolegun tim Sokol Olldashi sot ne 18:30 ne bar-in e Hotel Rogner…