Nga Bujar Qesja
Na ra papritur, largimi nga jeta i mikut tonë aq të respektuar Dhori Jano. Lindur me 23 shkurt 1956 dhe ndarë nga ne me 19 dhjetor 2022. Jetë e shkurtër, por ajo tashmë do të mbetet pa kufi në kujtimet tona. Do të na duket, se mbetesh gjithnjë pranë nesh.
Kishe një urtësi të lindur. Punove me pasion të rrallë. E doje profesionin. E doje punën. E doje me shpirt familjen. I doje shumë miqtë dhe shokët.
Asnjë nuk përjashtoje. Shpirti yt ishte i gjërë sa deti dhe i lartë sa malet. Jo pa qëllim kam zgjedhur këtë foto, me kontrast të rrallë, ku deti me malet bëhet njësh, duke të dhënë një pozicion memorial të pazakontë.
Halle mund të kishe plot, por nuk të pashë të mërzitur. Buzëqeshja jote, ishte kurajo dhe optimizëm për ne. Kur më shihje, ndaloje dhe më nxitje ti përkushtohesha akoma më shumë qytetit tonë të përbashkët Durrësit, që e doje pa masë.
Ti bëre revolucion në fotografinë artistike. Aparati dhe kamera të kishin hije, sepse ti me to fiksove jetë, fiksove ngjarje, data, dukuri. Bëre histori.
Teksa përgatiteshim për festat e fund vitit, për të trokitur gotat e për të uruar, që po mbyllnim një vit tjetër delikat, për të besuar në vazhdimësinë, vjen dhe ky lajm tronditës i pabesuar, që na mbuloi me dhimbje.
Do ta kemi të vështirë të mësohemi pa ty, pa përshëndetjen tënde, pa mirësinë e komunikimit aq të ëmbël dhe qytetar që Zoti ta kishte falë.
Por do të ngushëllohemi më punën e gjallë dhe fisnike që le, me emrin e madh që krijove, duke menduar tërë kohën që do të të kemi pranë dhe nuk të kemi humbur. Dhe ky nuk është besim, por detyrim për ne.
Dheu i lehtë Dhori Jano! Kujtimi për ty, do të mbetet gjithnjë i ndezur!
Me keqardhje të thellë
Bujar Qesja
Durrës: 20 dhjetor 2022