"Humor i pastër me shumicë" ka mbledhur aktorët e spikatur të humorit dhe të teatrit të Durrësit , të cilët vijnë para publikut javën e parë të muajit mars.

Nën drejtimin e aktorit të humorit, Edmond Halili, vjen shfaqja e humorit me të ftuar edhe këngëtarë dursakë. Është një shfaqje e cila ka humor të mirë, jashtë banaliteteve, materialet janë mbledhur me kujdes nga aktori Halili, i cili ka thirrur një grup aktorësh.

Pas katër vjetësh është rikthyer  Roland Koça, veteran i trupës së varietesë në Durrës, ndërsa aktorja Mimoza Marjanaku është rikthyer nga Shkodra ku xhiroi një film artistik.

Roland Koça, Dashamir Sinani, Gjergj Doçi e Edmond Halili premtojnë një spektakël të vërtetë argëtimi në datat 2, 3 e 4 mars.

"Materialet janë përzgjedhur nga jeta e përditshme, marrëdhëniet shoqërore, ato brenda familjes, midis një çifti apo edhe midis komshinjëve të një pallati. Gjithçka vjen në mënyrë argëtuese për publikun i cili ka nevojë për të qeshur në këto kohë të mbushura me shumë politikë", thonë aktorët për DurrësLajm.

Ata janë duke bërë provat e fundit në  tetatrin "Aleksandër Mosiu".

K.H.