Shfaqja e sotme "Humor i pastër me shumicë" me regji të Edmond Halilit, ka ngjallur interes shumë të madh tek publiku durrsak i cili ditë më parë ka prerë biletat për të ndjekur premierën e parë për këtë vit, që vihet në skenë në teatrin "Aleksandër Moisiu".
Duke nisur nga sot në mbrëmje e për tre net me radhë, artdashësit kanë mundësi të shikojnë një shfaje të bukur me pjesmarrjen e aktorëve të teatrit të Durrësit.
Gjithçka është gati dhe aktorët pas përfundimit të provave janë gati për tu ngjitur në skenë këtë mbrëmje. Edmond Halili ka mbledhur aktorët e spikatur të humorit dhe të teatrit por edhe këngëtarë durrsakë për shfaqjen e tij të dytë.
Më herët Halili, aktori i cili ka mbledhur e ka përzgjedhur materialet, tha se kjo është një shfaqje e cila ka humor të mirë, jashtë banaliteteve, ndërsa pas katër vjetësh ka rikthyer në skenë Roland Koçën, veteran i trupës së varietesë në Durrës.
Me pjesëmarrjen e aktorëve: Mimoza Marjanaku, Dashamir Sinani, Gjergj Doçi e Edmond Halili, premtohet një spektakël i vërtetë argëtimi në datat 2, 3 e 4 mars.
Materialet janë përzgjedhur nga jeta e përditshme, marrëdhëniet shqërore, ato brenda familjes, midis një çifti, apo edhe midis komshinjve të një pallati.
"Gjithçka vjen në mënyrë argëtuese, për publikun i cili ka nevojë për të qeshur në këto kohë të mbushura me shumë politikë," u shprehën më herët aktorët.
K.H.