Politika ka reaguar për lajmin e hidhur të kësaj të diele, atë të ndarjes nga jeta të aktorit të njohur Koço Devole.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka ngushëlluar familjarët, të afërmit e të gjithë artistët për lajmin e trishtë. Meta thotë se humori dhe arti shqiptar kanë humbur një prej kolosëve dhe figurave më të dashura.

“Sa shumë trishtim nga ky lajm! Sikur të na thoje se bëre shaka, nga ato të kripurat, që ti na bëje gjithmonë!  Humori dhe arti shqiptar padyshim humbën një prej kolosëve dhe figurave më të dashura, i cili do të na mungojë të gjithëve. Familjes Devole, të afërmve dhe gjithë artistëve ju shpreh ngushëllimet më të ndjera! Do të kujtojmë gjithmonë duke qeshur i dashur Koço! U prehsh në paqe”, shkruan Meta.

Edhe Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u ka shprehur ngushëllimet familjarëve të aktorit të njohur Koço Devole. “Ngushëllimet e mija për familjen, të afërmit dhe miqtë e aktorit të madh të humorit shqiptar Koço Devole që humbi jetën tragjikisht në betejë me Covid19. U prehtë në paqe”, shkruan Basha në Twitter.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me anë të një postimi në rrjetet sociale, shkruan se ai ishte emblema e humorit shqiptar dhe se la pas shumë e shumë personazhe, me të cilët qeshim edhe sot. “Shumë e hidhur ndarja e beftë nga jeta e aktorit fort të dashur, Koço Devole. Ai ishte emblema e humorit shqiptar – na la pas shumë e shumë personazhe, me të cilët qeshim edhe sot. U prehsh në paqe! Ngushëllime familjes”, shkruan Veliaj.

Aktori i mirënjohur i humorit Koço Devole u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare. Aktori i shumë roleve në tekekomedi të ndryshme ndërroi jetë si pasojë e komplikacioneve nga virusi Covid-19, ku prej disa ditësh ishte shtruar në spital i intubuar në gjendje të rëndë shëndetësore.