Hungaria dhe Polonia kanë bllokuar miratimin e buxhetit të BE për një klauzolë që lidh fondet e BE me respektimin e shtetit ligjor.
Paketa financiare përfshin një fond 750 miliardë euro për rikuperimin nga kriza koronavirusit.
Ambasadorët e 27 vendeve anëtare që u takuan në Bruksel nuk ishin në gjendje të miratonin buxhetin sepse të dy vendet vunë veton e tyre.
Shtetet e BE kishin rënë dakord për buxhetin prej 1.1 trilion euro për 2021-2027 dhe paketën e stimulit të koronavirusit pas një samiti katër-ditor në korrik ku ambasadorët kishin votuar edhe klauzolën që kushtëzonte përfitimin e fondeve të BE me respektimin e shtetit ligjor, sepse kërkonte vetëm një shumicë të kualifikuar.
Por buxheti dhe paketa e rikuperimit kishin nevojë për mbështetje unanime.
“Ne nuk mund ta mbështesim planin në formën e tij aktuale për të lidhur kriteret e sundimit të ligjit me vendimet e buxhetit,” tha Zoltan Kovacs, një zëdhënës i Kryeministrit Hungarez Viktor Orban.
Kryeministri polak Mateusz Morawiecki kërcënoi me veto javën e kaluar. Të hënën, Ministri polak i Drejtësisë Zbigniew Ziobro tha se çështja e sundimit të ligjit ishte “vetëm një pretekst”.
“Është me të vërtetë një skllavëri institucionale, politike, një kufizim radikal i sovranitetit,” tha ai.
Por kancelari austriak Sebastian Kurz, duke folur në një konferencë menjëherë pasi u bllokua buxheti, tha se “mbështetja e parimeve të sundimit të ligjit është një domosdoshmëri absolute” sepse shumat që u shpërndaheshin nga BE për vendet anëtare ishin shumë të mëdha.
Ambasadori gjerman Michael Clauss, i cili kryesoi takimin, paralajmëroi se BE do të përballej “me një krizë serioze” nëse paketa financiare nuk miratohej shpejt.
Hungaria dhe Polonia janë kritikuar për shkeljen e standardeve demokratike të parashikuara në traktatin themelues të BE. BE aktualisht po heton të dy vendet për minimin e pavarësisë së gjykatave, mediave dhe organizatave joqeveritare. Klauzola kërcënon t’u kushtojë atyre miliarda euro në fondet e BE-së.
Në një mesazh në Twitter, Johannes Hahn, Komisioneri i BE për Buxhet dhe Administratë, tha se ai ishte “i zhgënjyer” nga vetoja.
Ai u kërkoi vendeve anëtare të “marrin përsipër përgjegjësinë politike dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të finalizuar të gjithë paketën”.
“Kjo nuk ka të bëjë me ideologji por me ndihmë për qytetarët tanë në krizën më të rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore,” shtoi ai.
Ngecja do të debatohet nga ministrat e çështjeve evropiane të BE të martën dhe nga udhëheqësit e BE në një video-konferencë të enjten. Sidoqoftë, zyrtarët thonë se një zgjidhje mund të kërkojë më shumë kohë.