Hungaria i merr pikë Francës në “Puskas Arena” të Budapestit dhe mbetet në lojë për të kaluar në raundin tjetër, por do t’i duhet të bëjë mrekullinë në ndeshjen e tretë kundër Gjermanisë.

Skuadra e Deschamps, favoritja kryesore e Europianit, shpërdoroi mundësi të shumta shënimi, duke u ndalur në fund në barazim 1-1. Një pikë që u festua si fitore nga hungarezët, që flirtuan madje edhe me fitoren, pasi shënuan të parët në fundin e pjesës së parë.

Karim Benzema ishte i pafat në pjesën e parë, teksa në dy mundësi të arta në minutat 14’ dhe 30’ nuk ia doli të mposhtte portierin Gulacsi. Hungaria, e mirorganizuar në fazën mbrojtëse shtangu Francën në minutën e dytë shtesë të fraksionit hapës me Fiolan, me një goditje të bukur brenda zonës.

Ousmane Dembele, i sapufutur në lojë në vend të Rabiot u ndal  nga shtylla në minutën e 58-të, për të ardhur më pas te momenti i golit të barazimit, i shënuar nga Griezmann, që ndoqi aksionin e Mbappesë, duke marrë në një farë mënyrë një asist nga Orban (66’).

Pas kthimit të baraspeshës në rezultat Franca dominon në lojë, e kërkon me ngulm golin e barazimit, por Mbappe nuk është në ditën e tij më të mirë (69’, 82’), ndërsa hungarezët tentuan befasinë me Sallai, por reagon bukur Lloris (74’).

Mbyllet 1-1 me “Puskas Arena”, rezultat që mban në garë edhe Hungarinë në Grupin F, teksa gjithçka do të vendoset në raundit e fundit të ndeshjeve në grupe.