Parlamenti i Hungarisë ka miratuar një paketë të re amendamentesh kushtetuese që ndalon ngjarjet publike të komunitetit LGBTQ+ dhe kufizon të drejtat e personave transgjinorë dhe interseksualë. Me 140 vota pro dhe 21 kundër, amendamentet kanë shkaktuar reagime të forta brenda dhe jashtë vendit.

Sipas ndryshimeve të reja, “të drejtat e fëmijëve për zhvillim moral, fizik dhe shpirtëror” vendosen mbi çdo të drejtë tjetër themelore, përfshirë të drejtën për tubim paqësor. Po ashtu, përcaktohet se “seksi i një personi në lindje është një karakteristikë biologjike dhe mund të jetë vetëm mashkull ose femër”, duke ndaluar kështu çdo ngjarje që promovohet si në kundërshtim me vlerat tradicionale.

Një ndër masat më të debatueshme është përdorimi i teknologjisë së njohjes së fytyrës për të identifikuar dhe ndëshkuar pjesëmarrësit në manifestime, çka ka ngritur shqetësime serioze për shkeljen e privatësisë dhe lirive civile.

Amendamentet përfshijnë gjithashtu dispozita për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar. Ato i japin shtetit të drejtën për të pezulluar shtetësinë e qytetarëve me shtetësi të dyfishtë, nëse konsiderohen rrezik për sigurinë kombëtare, për një periudhë deri në 10 vjet, përfshirë mundësinë e dëbimit.

Ndryshime janë bërë edhe në ligjin për gjendjen e jashtëzakonshme. Ndërsa qeveria mund të shpallë një gjendje të tillë për 30 ditë, çdo zgjatje deri në 180 ditë kërkon tani miratimin e dy të tretave të Parlamentit.