Hungaria ka bllokuar 50 miliardë Euro ndihma të Bashkimit Europian për Ukrainën. Zhvillimet e orëve të natës sollën bllokadën hungareze, vetëm disa orë pasi vendet e unionit arritën dakordësinë për t’ë pranuar hapjen e negociatave të anëtarësimit për Ukrainën dhe Moldavinë.

Kryeministri hungarez Viktor Orban vendosi veton për paratë shtesë që do t’i jepeshin si ndihmë Ukrainës, që po përballet me agresionin ushtarak rus.

Bllokimin e ndihmës ekonomike e njoftoi vetë Kryeministri i Hungarisë, menjëherë sapo liderët e BE-së vendosën të hapnin bisedimet e anëtarësimit për Ukrainën dhe Moldavinë, ndërsa Gjeorgjisë i dhanë statusin e vendit kandidat.

Pas vetos, Orban u largua nga mbledhja e liderëve të BE-së. Hungaria mban lidhje të afërta me Rusinë dhe prej kohësh ka kundërshtuar edhe anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Europian, por nuk e vendosi veton për këtë çështje.

Kryeministri holandez Mark Rutte tha se të gjitha vendet e unionit ranë dakord për të nisur negociatat për anëtarësimin e Ukrainës, por Hungaria nga ana tjetër bllokoi një ndihmë ekonomike prej 50 miliardë Eurosh për këtë shtet që po përballet me luftime.

Kryeministri Rutte u shpreh i bindur se ndoshta nga fundi i muajit Janar mund të arrihet një marrëveshje për të bindur Hungarinë që të heqë veton ndaj ndihmës ekonomike për Ukrainën.