Disa ndryshime në Kodin e Ri Doganor që kanë hyrë në fuqi me herët në fillim të këtij muaji përcaktojnë një mënyrë të re për sanksionet kundër veprimeve apo mosveprimeve që përbëjnë shkelje të rregullave doganore.
Në një material sqarues që Këshilli i Investimeve ka bërë në kuadër të hyrjes në fuqi të ndryshimeve në Kodin Doganor, thuhet se shkeljet diferencohen nga mënyra e sjelljes së shkelësit, niveli i ashpërsisë dhe disa kategorizohen nisur nga fakti se a ka pasur qëllim apo neglizhencë.
Që nga ky muaj aplikohen shkallë efektive, proporcionale dhe dekurajuese të sanksioneve, në varësi të shkeljes.
Kur aplikohen sanksionet, Administrata Doganore merr në konsideratë natyrën dhe rrethanat e shkeljes, duke përfshirë shpeshtësinë dhe kohëzgjatjen, nëse një “tregtar i besuar” është i përfshirë dhe shumën e detyrimit të shmangur.
Janë vendosur afate kohore për të ndjekur shkeljet dhe procedurat administrative do të duhet të pezullohen në qoftë se një procedurë penale është e hapur për të njëjtën çështje. Janë vendosur afate kohore të qarta për parashkrimin.
Me normat e reja ligjore kundërvajtje administrative është shkelja e dispozitave ligjore ose nënligjore në fushën doganore, të kryera me veprim ose mosveprim dhe për të cilat Kodi parashikon dënim administrativ.
Kontrabandë janë veprat penale të sanksionuara në Kodin Penal që cenojnë marrëdhëniet shoqërore që janë vendosur për funksionimin normal të doganave në Republikën e Shqipërisë dhe për mbrojtjen e interesave ekonomikë të saj, në përputhje me përcaktimet e bëra në nenet 266 dhe 267 të këtij Kodi.
Janë zvogëluar dhe thjeshtuar nenet e shkeljeve doganore administrative.
Sanksionet dhe gjobat janë më të ulëta si më poshtë;
– Kundërvajtjet me përgjegjësi objektive 1-fish janë 20 000 – 50 000 lekë
-Kundërvajtje të kryera në neglizhencë 2-fishjanë 50 000 – 500 000 lekë
-Kundërvajtje të kryera me dashje 3-fish janë 1 000 000 lekë
/Monitor/