Duke filluar nga kjo javë, kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja në ligjin për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare, të miratuara në Kuvendin e Shqipërisë më datë 27 korrik 2018. Këtë lajm, ministrja e Shëndëtetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e ka ndarë me përfitueset në Qendrën Kombëtare të Trajtimit të Viktimave të Dhunës në Familje, gjatë vizitës së saj në këtë qendër.
Gjatë bashkëbisedimit me gratë e strehuara në këtë qendër, Manastirliu theksoi se me ndryshimet e reja ligjore, gratë që përballen me dhunën në familje do të kenë mbrojtje që në momentin e parë të denoncimit në polici. Me ligjin e ri do të garantohet urdhër paraprak i menjëhershëm të mbrojtjes për viktimat e dhunës, për të vazhduar më pas me masat e tjera të parashikuara.
Ndryshimet e reja në ligjin për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare sjellin disa risi me qëllim forcimin e ligjit, trajtimin e viktimave të dhunës dhe mbi të gjitha riintegrimin e tyre në shoqëri. Risi në ndryshimet e reja është dhe zgjerimi i mbrojtjes përtej marëdhënies juridike burrë-grua, duke parashikuar masa të mbrojtjes për gratë dhe vajzat që bashkëjetojnë apo janë në lidhje afektive.
Manastirliu u ndal edhe te ndryshimet ligjore që garantojnë një mbrojtje më të mirë për fëmijët që asistojnë dhunën në familje, pasi për herë të parë, me urdhrin e mbrojtjes për nënën, automatikisht do të garantohet urdhëri i mbrojtjes për fëmijët, edhe nëse mbi ta nuk është ushtruar dhunë e drejtpërdrejtë.
Ndryshimet ligjore synojnë parandalimin dhe reduktimn e rasteve të dhunës në marëdhëniet familjare dhe në njësinë shtëpiake, për të garantuar mbrojtje të veçantë dhe pa diskriminim të çdo grupi që paraqet nevoja të veçanta mbrojtjeje.
Ministrja u shpreh se, duhet të punojmë çdo ditë për të forcuar sistemin e denoncimit, të referimit, për të përmirësuar shërbimet për gratë, për të mbështetur më shumë gruan për strehim, për punësim, për shërbime sociale.





