Anila Hyka: Qeveria e re, transparencë dhe meritokraci për rilindjen e premtuar.

Parisin e shoh si turiste, jo si banore e tij

Vali Qyrfyçi

Në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit, disa prej personaliteteve shqiptare që kanë bërë karrierë në vendet ku jetojnë mbështetën fort “Rilindjen” e Edi Ramës. Mes tyre ishte dhe durrsakja Anila Hyka Smorgrav, drejtoreshë programi në France Telekom. Ajo jeton prej 9 vitesh në Paris dhe u rendit, mes shumë emrash të tjerë të shqiptarëve të suksesshëm që jetojnë e punojnë përtej kufijve të vendit, duke ftuar shqiptarët të votojnë Rilindjen për të rimëkëmbur vendin e gërryer nga korrupsioni, antivlerat që shiten si vlera, babëzia për fitim të shpejtë e zaptim, keqadministrimi i territorit dhe krimi i rrugës e ai i organizuar që marrin dhe shkatërrojnë jetë njerëzish në emër të një drejtësie primitive për shkak të mungesës së drejtësisë, që duhet të burojë nga autoritetet e ngarkuara me ligj për ta dhënë atë. Ecejaket jetësore mes Shqipërisë, Norvegjisë, Shteteve të Bashkuara, Zvicrës dhe Francës e kanë bërë të ndjehet e diskriminuar vetëm në një vend. Çuditërisht në vendin e saj, ku kthimi, që zgjati veç një vit, u shoqërua me zhgënjim për të qenit e mbikualifikuar.

 Durrsakja mes teknologjisë informative dhe shoqërisë civile

Gjithçka nisi në vitin 1989, kur mbaroi studimet për Informatikë dhe më pas për dy vite rradhazi punoi në Institutin e Informatikës dhe pedagoge e jashtme në fakultetin Ekonomik. Në gusht të vitit 1992, Hyka fiton një bursë nga shteti norvegjez për të vazhduar studimet pasuniversitare për Shkenca Kompjuterike pranë Universitetit të Oslos. Nuk përqëndrohet thjesht te studimet, por angazhohet edhe në dhënien e kontributit personal për krijimin e Komitetit të Helsinkit në Tiranë, si dhe në programin e ndihmave të Norvegjisë për Shqipërinë. Nuk mjaftohet me kaq, pasi e tërheq fusha e të drejtave të njeriut, të drejta të nëpërkëmbura gjerësisht gjatë diktaturës në vendin e saj. Aktivizohet dhe pranë Kryqit të Kuq në Oslo, ndërsa me mbarimin e studimeve punësohet pranë Telekomit norvegjez ku ka mbajtur poste te ndryshme, që nga arkitekte softuerësh (software) deri te drejtuese projekti, menaxhim stafi dhe marketim produkti. Në vitet 2000-2003 udhëton drejt Shteteve të Bashkuara ku punon si drejtuese produkti dhe marketingu në Kalifornia (San Françisko) për kompaninë e telekomunikacionit «Ericsson». Gjatë kësaj periudhe punon edhe si vullnetare me fëmijët e sëmurë në Oakland Children’s Hospital. Pas kësaj përvoje amerikane dhe një periudhe të shkurtër të kthimit në atdhe, në vitin 2004 zhvendoset në Paris, ku vazhdon të jetojë dhe punojë, fillimisht për kompaninë „Alcatel” e më pas për France Telekom (Orange) për të cilën vazhdon të punojë. Një karrierë në rritje që e ka pasuruar jo vetëm profesionalisht, po dhe personalisht, ndërsa ndjehet e lidhur pazgjidhshmërisht me vendin e saj. 

-Ju jeni pjesë e një grupi profesionistësh në karrierë jashtë vendit që mbështetët publikisht «Rilindjen». Si u bëtë pjesë e këtij publiciteti parazgjedhor?

Ishte një nga miqtë e mi shqiptar këtu në Paris që më ftoi të jem pjesë e tij, pasi në bisedat tona shpesh kemi diskutuar për situatën politike në vend dhe ai e di që unë e ndjek rregullisht aktualitetin dhe zhvillimet në Shqipëri. Nuk kam ndonjë lidhje të drejtpërdrejt me politikën, po zhvillimet e saj dhe veçanërisht ato që lidhen me zgjedhjet i kam ndjekur rregullisht nëpërmjet internetit, sidomos Top Channel që i jep debatet në stream –version. Arsyeja përse pranova të mbështes “Rilindjen” e PS-së ishte programi i saj. Vërejta një pjekuri në të dhe në angazhimet e grupit të punës së PS-së. Te Edi Rama shoh një vizion të qartë, mesazhe konçize, pikërisht reformat që i duhen në këto momente vendit. Duke patur bindjen që vendit i duhej një rilindje e vertetë, një ndërgjegjësim për të ardhmen që nis gjithnjë nga pjesëmarrja në zgjedhje nëpërmjet votës së lirë.

-A votuat ju dhe ç'mendoni për rrjedhën e zhvillimeve pas 23 qershorit?

Fatkeqesisht shteti ynë dhe pas 20 vitesh demokraci nuk u jep mundësi akoma shtetasve të vet jashtë që të votojnë pranë ambasadave siç bëhet për çdo qytetar të vendeve europiane. Është gati ironike që si shtetase franceze kam votuar në ambasadën franceze në Oslo dhe jam ftuar më shumë nga ajo ambasadë në raste të ndryshme festash apo aktivitetesh se sa nga ambasada shqiptare në Paris. Kjo është një arsye më shumë pse besoj që Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë dhe një mentalitet të ri në qeverisje.

Pyetje interesante kjo për zhvillimet paszgjedhore, pasi nga 23 qershori deri më 9 shtator kur qeveria e re u mblodh më ka bërë të heq paralele me zgjedhjet e 2012-s në Francë. Një periudhë e çuditshme tranzicioni. Qeverisë franceze nuk iu deshën më shumë se 10-20 ditë që të përgatiteshin dosjet për t’ua pasuar ministrave të rinj. Pavarësisht se socialistët fituan ndaj partisë demokrate, çdo ministër priti personalisht dhe i uroi suksese pasardhësit duke i pasqyruar edhe çështjet e pambaruara. Ndërkaq në Shqipëri kjo periudhë duhej të zgjaste 2 muaj e gjysëm, periudhë që degradoi jetën e vendit, uli autoritetin e shtetit dhe rriti krimin në rrugë. Komunikimi me qeverinë e ardhshme ishte zero. Qeveria e re e shfrytëzoi ndërkohë këtë periudhë për të krijuar bazën e programeve të saj. Vazhdimësia e negativitetit që shihet në parlament lë për të dëshiruar. Shpresoj që ky paralment i ri dhe opozita të luajnë një rol konstruktiv në të ardhmen si e vetmja mënyrë për të ecur perpara.

– Çfarë prisni nga qeveria e re si nje shqiptare që jeton jashtë kufijve?

Sikur 40% e programit të qeverisë të realizohet në çdo fushë, cilësia e jetës së shqiptarëve do të jetë trefish më e mirë seç është sot, sepse realizimi i prioriteteve që ka vënë qeveria lidhet drejtperdrejt me rritjen e nivelit të jetës, demokratizimit të administratës dhe ngritjen ekonomike. Si shqiptare që jetoj jashtë pres që ajo t’i përmbahet angazhimeve dhe parimit që çdo gjë do të bëhet me transparencë të plotë dhe e mbështetur në meritokraci. Jam e vetëdijshme se me situatën buxhetore dhe borxhet që ka shteti, nuk pres që në 4 vitet e ardhshme të bëhet e mundur që të arrijmë të votojmë në ambasadat e vendeve ku jetojm, po unë do të vij në atdhe të votoj. Më majfton të shikoj ndryshimet, që kur të përballem me administratën publike të mos sorollatem për një certifikatë vetëm sepse refuzoj të jap para, apo të mos dëgjoj më prindërit e mi pensionistë që duhet të paguajnë nën dorë në spitalet publike.

– Sa të vështirë e keni pasur të integroheni fillimisht në jetën studentore e më pas në atë profesionale në Europë?

Pyetja më fut në botën e kujtimeve të 21 viteve, disa nga të cilat dhe të vështira. Si studente, vështirësia më e madhe ishte t’i riktheheshe abc-së në një gjuhe të huaj, norvegjisht, komplet e panjohur e ndërkohë që kishe lënë një jete profesionale shumë të mirë për kushtet e atëhershme.  Vështirësi tjetër ishte përshtatja me kohën, temperaturat e ftohta dhe netët e gjata për muaj të tëra, njohja dhe kuptimi i kultures skandinave që është shumë e ndryshme nga kultura ballkanike.  Integrimi si studente e huaj ishte më i lehtë pasi  universiteti ishte shumë i organizuar për të integruar studentët e huaj të cilët nuk mungonin kudo. Përveç kësaj stili skandinav i jetesës, lirshmëria sociale dhe niveli social i femrave në shoqëri të bëjnë të ndjehesh mirë dhe pa shumë vështirësi. Norvegjezët janë njerëz shumë humanë dhe të çiltër.  Kemi një shprehje: norvegjezët don kohë t’i bësh shokë, po kur i ke, i ke përjetë. Norvegjia ishte një zgjedhje e rastësishme. Unë isha një ndër tre studentët e parë shqiptarë në Norvegji, që na u hap mundësia nëpërmjet programit ANA që drejtohej nga një mike e popullit shqiptar, sociologja e shquar që kishte mësuar edhe shqip, Berit Backer. Pas nesh kanë ardhur gati çdo vit me mbështetjen e shtetit norvegjez studentë shqiptarë për të studiuar në universitete të ndryshme të Norvegjisë.  Jeta ime ka pasur lëvizje në 5 vende të ndryshme dhe për të qenë e sinqertë nuk mbaj mend të jem përballur me diskriminim përsa i përket vendit tim, as në Norvegji kur kam punuar dhe gjatë përgatitjes së tezës si asistent pedagoge dhe as më vonë kur fillova në Telkomin norvegjez ku më është dhënë mundësia e posteve që kam dashur dhe kërkuar. Vitet në Kaliforni kanë qenë po aq të pasura si në punë ashtu dhe në jetën shoqërore ku kam bërë shumë miq që vazhdoj t’i takoj dhe sot.

Vështirësinë apo diskriminimin më shumë e kam hasur në vitet 2003-2004 në Shqipëri, kur bëra një tentativë pas kthimit nga USA. Mesazhin «over qualified» (e mbikualifikuar) e konsiderova në atë kohë diskriminues. Ndërsa periudha e punës në Zvicër dhe në Francë për kompaninë Orange kanë qenë periudha sfide dhe kënaqësie, sfidë pasi isha mësuar me stilin anglosakson të punës dhe dhe që është i ndryshëm nga ai francez.

 – Ju është bërë ndonjë ofertë për t'u kthyer në atdhe?

Jo përveç rastit që përmenda më lart, kur tentova vetë dhe m’u duk shumë e vështirë.

-Në rast se oferta do të vinte ku do të donit të jepnit kontributin tuaj?

Nëse do të vinte oferta do të vlerësoja llojin e saj dhe kushtet. Kontributi im më i plotë për shoqërinë shqiptare do të ishte në fushën e teknologjisë dhe zbatimit të projekt/programeve për ngritjen e administratës dhe shërbimeve publike në nivelin bashkëkohor teknologjik. Shqipëria është akoma «e virgjër» në këtë fushë në çdo aspekt të jetës arsimore, shëndetësore, ekonomike e administrative. Janë bërë përpjekje që do t’i shikoja sporadike dhe të cunguara  dhe tani ka ardhur koha të nisen me një strategji dhe zbatim të koordinuar nga qeveria e re, siç e ka shprehur dhe në programin e saj.

– Çfarë problemesh ka ky sektor në Shqipëri, për aq sa ju e njihni situatën?

Ka aq shumë probleme në këtë sektor sa do të duheshin orë të flisje për to. Tentova ta përmbledh më sipër. Sipas International Telecommunication Union (ITU), Shqipëria renditet nga fundi për zhvillimin e infrastukturës në fushën e informacionit dhe teknologjisë në Europë dhe rajon. Megjithëse shumica e popullatës përdorin celularët, dhe ka një përhapje në masë të smartphone apo dhe tabletave, përhapja e IT-së nuk është në nivelin e duhur e me kriteret e duhura. Ka një kontrast migjenian që në një anë njerëzit përdorin në jetën e përditshme komunikimin dixhital nëpërmjet internetit, marrin informacionin përmes tij dhe kur shkon në një zyrë publike për të marrë një certifikatë lindjeje ka raste kur ende përballesh me ato rregjistrat e vjetër të stilit para viteve ‘90 dhe marrja e certifikatës varet nga shkrimi i dorës së personit që ka mbushur rregjistrin. Mjafton që «a»-së të mos i jetë vënë bishtin dhe merret për «o». Kaq mjafton që para nëpunëses të mos vlejë as pasaporta shqiptare, as ajo franceze për të konfirmuar vërtetësinë e mbiemrit.

– Sa shpesh vini në Shqipëri dhe cilat janë perceptimet tuaja?

Përpiqem të vij të paktën 2 herë në vit. Do të doja të vija më shpesh, pasi në Shqipëri kam familjen dhe shoqërinë time të afërt, që prej më shumë se 20 vjetësh me të kam mbajtur kontakte të vazhdueshme. Vërej që në varësi të kushteve në të cilat ndodhen në momente të caktuara njerëzit kanë dhe reagime të ndryshme në lidhje me të sotmen e të ardhmen. Disa kanë besim e disa janë pesimistë. Më duket se pas 23 qershorit ka njëfarë shprese për një ndryshim më të dukshëm.

– Diçka për jetën personale dhe Parisin.

Ehh, Parisi mbetet gjithnjë Paris. Është qytet si shumë qytete të tjera metropolitane të bukur dhe tërheqës. Për vizitorët është dhe do të mbetet qytet romantik, në lëvizje me muzetë, shfaqjet, koncertet, kafenetë, shëtitjet buzë apo në Seine, ndërsa për ata që jetojnë dhe ju duhet të marrin tren, metro a autobus dy herë në ditë dhe në orare të caktuara, Parisi është i lodhshëm dhe shpesh stresues. Personalisht më pëlqen ta shikoj Parisin gjithnjë si vizitore. Është i magjishëm, sidomos në darkë. 

/ agjencia e lajmeve dyrrah /