Disfata me Luksemburgun ka tronditur edhe më shumë ambientin kuqezi, teksa edhe pse nuk ishte pjesë e tyre Hyka e pranon se kjo disfatë i ka lënë një shije të hidhur. Mesfushori shtatshkurtër kërkon mbështetjen e të gjithëve, ndërsa e pranon se përsëritja e kualifikimit historik në Kampionatin Europian mbetet një mision thuajse i pamundur.
"Nuk e ndoqa ndeshjen në Luksemburg sepse isha duke udhëtuar. Por, e pashë më pas rastet e ndeshjes. Normalisht që nuk është një rezultat i mirë përpara ndeshjes me Izraelin. Fitorja do të na jepte vetëbesim. Nuk ishte pozitive, por shpresojmë të rikthehemi me Izraelin. Çfarë po i mungon Kombëtares? Kualifikimi në Europian ishte maksimumi. Të gjithë presin gjithmonë suksese të tilla. Por, duhet ta pranojmë se jemi në një grup të vështirë dhe ishte e vështirë të përsëritej ajo arritje. Në këto momente që jemi kemi nevojë për mbështetjen e të gjithëve, tifozëve, mediave. Ndaj Izraelit duhet të paraqitemi mirë dhe ta ndryshojmë këtë situatë".
Rëndësia e sfidës së 11 Qershorit në Izrael ka rritur përqendrimin në skuadër, ndërsa ashtu si edhe shokët e tjerë të ekipit, Hyka thekson se fakti cili do të jetë kapiten në Izrael nuk përbën çështje.
"Është normale që pas një humbje ekipi të mos jetë i lumtur, sepse në të kundërt nuk do të ishte shenjë pozitive. Por, këto ditët e fundit kemi më tepër përqendrim, pasi luajmë një ndeshje të rëndësishme ndaj Izraelit. Besoj se çdokush është i përqendruar dhe gati të japë maksimumin".
Për 29-vjeçarin më i rëndësishëm është fakti që mbetet pjesë e grupit dhe nëse De Biasi do ta hedhë në fushë, Hyka premton maksimumin. Asnjë lojtar nuk duhet të bëjë polemika në Kombëtare. Trajneri vendos se cilët luajnë. Duhet të jesh i gatshëm në çdo moment dhe unë këtë e kam bërë sa herë më është dhënë mundësia. Nuk e di çfarë do të vendosë trajneri për këtë ndeshje. Unë jam gati dhe shpresoj që formën e mirë që po kaloj në Amerikë të jap kontribut edhe në këtë ndeshje me Kombëtaren. Pozicioni në fushë? Në Kombëtare nuk mund të thuash që kam qejf të luaj në këtë pozicion. Fillimisht vjen grupi dhe më pas individi. Nuk ka rëndësi ku luaj, unë mundohem të jap maksimumin. Prej vitesh luaj në krahun e majtë dhe pas sulmuesit, këto janë pozicionet ku mund të jap më të mirën", u shpreh Hyka.