Një person i maskuar në Durrës ka vjedhur një biçikletë në mes të ditës, i cili duke përfituar nga situata e pandemisë së koronavirusit që qytetarët tashmë duhet të mbajnë maska mbrojtëse në fytyrë, ka vendosur dhe kapuçin e një kapele, dhe është mbuluar kështu mjaftueshëm mirë që të mos identifikohet nga banorët apo kamerat e sigurisë.

“DurrësLajm” publikon pamjet e këtij hajduti që ka hyrë në një pallat në lagjen nr.5 të qytetit, prapa ish-rajonit të policisë, i cili lëviz lirshëm në pallat, vrojton terrenin dhe më pas largohet duke vjedhur një biçikletë.

Hajduti ka marrë biçikletën që ndodhej poshtë hyrjes së pallatit pasi ka qëndruar për disa minuta brenda tij, duke hipur e zbritur disa herë dhe duke u ndalur disa sekonda përpara apartamenteve, siç mund ta shihni në pamjet më poshtë.

Një nga banorët e këtij pallati thotë për “DurrësLajm”, se familjarët që banojnë aty pasi mësuan rreth rastit në fjalë, ndjehen të frikësuar, pasi ky hajdut mund t’iu kishte hyrë brenda në apartament për të vjedhur çfarë të mundej, ose të rikthehet sërish pasi ka vëzhguar ambientin me imtësi e për të marrë “prenë” e radhës.

Ngjarja ka ndodhur ditën e shtunë më 18 prill, ndërsa autori nuk është zbuluar ende.