Një 23-vjeçar është arrestuar mbrëmjen e së martës në Tiranë, pasi kokëfortësia për t’i shpëtuar një mase administrative për shkelje semafori, ka sjellë përballjen e tij me 5 vepra penale.
Në vend që të ndalonte, duke qenë se kishte kaluar me të kuqe, ai i ka bërë “zbor” Policisë nga Rruga e Kavajës deri te “Komuna e Parisit”, ku në fund është arrestuar. Sikur të mos mjaftohej me mosbindjen ndaj urdhrit të Policisë, në kohën kur shkeli semaforin, gjatë ndjekjes nga forcat e Komisariatit nr.2, ai ka vijuar të kryejë vepra penale, duke e mbyllur natën në qeli, për 5 vepra penale.
Në ikje e sipër, ai ka përplasur gjatë rrugës 3 makina, duke u akuzuar për shkatërrim prone, duke u shoqëruar edhe me akuzën “Largim nga vendi i aksidentit”, ka prishur rendin dhe qetësinë publike dhe në fund ka sulmuar edhe fizikisht efektivët e Policisë, duke i goditur me grushte.
I arrestuari është Renald Canaj, banues në Tiranë, pa precedentë të mëparshëm penalë. Burimet thonë se i arrestuari, ndonëse është përplasur me makina të tjera gjatë kohës që largohej me shpejtësi, nuk ka pësuar lëndime. Mësohet se ai ka qenë i vetëm në makinë dhe menjëherë është bërë arrestimi i tij.
ARRESTIMI
“Nuk i bindet urdhrit të punonjësit të Rendit Publik për të ndaluar, si dhe kundërshton punonjësit e Policisë në momentin e ndalimit, arrestohet në flagrancë 23-vjeçari”, tha dje Policia e Tiranës.
Në deklaratën zyrtare, sqarohet se shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr.2 arrestuan në flagrancë shtetasin Renald Canaj, 23 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas, në Rrugën e Kavajës, ka kaluar me semafor të kuq dhe pasi i është dhënë shenja e ndalimit nga shërbimet e Policisë, nuk ka ndaluar, por ka vazhduar lëvizjen me mjet, duke u shkaktuar dëme dhe tri mjeteve të tjera dhe pas ndjekjes nga shërbimet e Policisë është bërë ndalimi i mjetit në zonën e “Komunës së Parisit”, ku dhe është bërë arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprat penale: “Shkatërrim prone”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik”, “Largimi nga vendi i aksidentit”, “Prishja e qetësisë publike”, parashikuar nga nenet 150, 237, 242 273 dhe 274 të Kodit Penal. Vetëm pak ditë më parë, një tjetër 23- vjeçar bëri të njëjtin veprim, por nuk pati “fatin” e Canajt. Romario Murati u procedua në gjendje të lirë vetëm për mosbindje ndaj urdhrit të Policisë dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Ai u ndoq nga “Shqiponjat”, nga zona e ish-Bllokut deri tek “Unaza e Re”, ku u ndalua vetëm pasi u përplas me një pemë dhe pësoi lëndime të lehta. I riu lëvizte me një automjet tip “Mercedes C Class” dhe nuk rezultoi të kishte objekte të ndaluara me vete.
PANORAMA





