Qeveria ka miratuar këtë të premte paketën “AntiKÇK”. Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, në një konferencë për shtyp deklaroi se paketa “AntiKÇK” hyn menjëherë në fuqi dhe ka të bëjë me pasurinë e personave që janë dënuar për krim të organizuar, pjesëmarrje në grupe kriminale, terroriste, trafiqe apo krime të tjera.

Sipas saj, paketa do të shënjestrojë edhe pasuritë e atyre që për shkak të sistemit të kalbur të drejtësisë kanë arritur t’i shpëtojnë burgut.

“Akti thelbësor i paketës “AntiKÇK” i miratuar sot është akt normativ, i cili hyn në fuqi menjëherë dhe ka të bëjë me pasurinë e atyre që janë dënuar për krim të organizuar, pjesëmarrje në organizata dhe grupe kriminale dhe çdo grup tjetër kriminal apo terrorist, trafiqe apo krime të tjera të rënda. Pjesë e paketës “AntiKÇK” që shënjestron pasurinë janë edhe ata që për shkak të sistemit të kalbur të drejtësisë nuk u dënuan kurrë dhe sot lëvizin të lirë. Këta individë do të duhet të provojnë se banesat, bizneset dhe llogaritë bankare burojnë nga puna dhe jo nga aktiviteti i paligjshëm dhe i pajustifikuar”, tha Gjonaj.

Njëkohësisht subjekte të kësaj pakete do të jenë edhe ata që për të fshehur pasuritë i kanë transferuar ato në palë të treta. Këto lloj transferimesh apo transaksionesh do të anulohen dhe konsiderohen të pavlefshme.

Sipas ministres, paketa i jep policisë, SPAK dhe Gjykatave mjetet dhe kornizat e duhura ligjore për të luftuar krimin e organizuar. Ndërkohë pjesa e dytë e paketës “AntiKÇK” ka të bëjë me prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar.

“Pjesa tjetër e paketës ka të bëjë me prokurorë dhe gjykatës, të cilët po sfidojnë shtetin, ligjin dhe tërë shoqërinë me vendime si ajo gjyqtare e Krujës që në radhë nuk është i vetmi. Për të gjithë këta sfidues të ligjit që abuzojnë për përfitime personale teksa kalojnë ditët e fundit të Vettingut, me këtë paketë institucionet e reja të drejtësisë do të kenë mekanizma efikase për të ndëshkuar çdo gjyqatar dhe prokuror që merr guximin për të shkelur ligjin”, tha ministrja.