Tiranë, 7 gusht 2014 – Ka hyrë në fuqi vendimi për regjistrimin e kodit IMEI të telefonave celularë. Çdo individ që ka në përdorim një apo më shumë celularë duhet ta regjistrojë atë brenda afatit të përcaktuar, në të kundërt do të paguajë një gjobë deri në 500 lekë deri në mbyllje të shërbimit.
Çdo aparat celular ka një kod 15-shifror, i cili është unik. Për ata që kanë një aparat celular dhe e regjistrojnë brenda 90 ditëve nga hapja e proçesit, regjistrimi është falas, për ata që nuk e regjistrojnë brenda këtij afati, tarifa është 500 lekë dhe kjo vlen edhe për ata që do të blejnë një aparat të ri celular pas përfundimit të proçesit.
Sipas ministres Milena Harito, një aparat i regjistruar i cili më pas mund të vidhet, nuk vlen më për t’u shitur në trëgun e zi, pasi policia e bllokon menjëherë atë duke u bazuar te numri i serisë IMEI.
Proçedurat e regjistrimit
Ministria e Financave ka dy muaj kohë për krijimin e të dhënave, pas kësaj, i jepet mundësia operatorëve telefonikë që të njoftojnë abonentët e tyre për tu paraqitur në mënyrë që të bëhet regjistrimi i aparatëve.
Me krijimin e një baze të dhënash institucioni përgjegjës do të fillojë menaxhimin dhe ndarjen në 3 lista. Në listën e parë ose listën e bardhë do të bëjnë pjesë të gjithë ata që kanë regjistruar aparatët celularë. Në listën e dytë ose atë gri do të jënë ata që ende nuk e kanë kryer procedurën e regjistrimit dhe në listën e tretë ose të zezë do të jenë aparatët që figurojnë të vjedhur.
Në rast se nuk zbatohet afati atëherë operatorët telefonikë celulare e kalojnë në listën e zezë dhe heqin shërbimin për këtë aparat dhe regjistrimi i një aparati që ka kaluar në listën e zezë do të bëhet kundrejt një pagese prej 1000 lekësh.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





